Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, M.M. dhe A.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, e paraparë me Kodin Penal të Kosovës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstremiste fetare, në përputhje me metodat e përdorura nga organizata terroriste ISIS, raporton lajmi.net
M.M. dyshohet se ka bërë thirrje për dhunë dhe masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve përmes postimeve në rrjetin social “Facebook”. Ai akuzohet gjithashtu se ka publikuar materiale – foto dhe video që promovojnë ekstremizmin fetar dhe persona të radikalizuar.
Ndërkohë, A.B. akuzohet për shpërndarje të materialeve nxitëse me përmbajtje radikale, duke bërë thirrje për zbatimin e ligjeve të Sheriatit dhe kundërshtimin e sistemit demokratik, simboleve shtetërore dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Sipas Prokurorisë, A.B., që nga viti 2019 deri më 22 maj 2025, ka përdorur profilin e tij në “Facebook”, me emrin “Ubejdullah Abu Suhejla”, për të shpërndarë përmbajtje që nxitin përçarje dhe për të promovuar pjesëmarrjen në luftëra për xhihad.
Prokuroria Speciale ka theksuar përkushtimin e saj për të ndjekur penalisht veprat që rrezikojnë vlerat demokratike, bashkëjetesën ndërfetare dhe rendin kushtetues në Kosovë./Lajmi.net/