AIP, Zyra e Kryeprokurorit, Policia, IPK dhe AGK nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen e të dhënave personale

Agjencia për Informim dhe Privatësi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale për mbrojtjen e të dhënave personale në kontekstin e komunikimit publik.
Në njoftimin e AIP thuhet se në kuadër të marrëveshjes, institucionet do të angazhohen për parandalimin e publikimeve të paautorizuara të të dhënave personale në media dhe publik, ndërmarrjen e veprimeve për forcimin e rregullatives së akteve nënligjore të institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale për zyrtarët e institucioneve dhe mediave.
“Marrëveshja ka për qëllim të adresojë shqetësimet për shpërndarjen apo publikimin e të dhënave personale në media dhe palë të treta, përveç në rastet kur një veprim i tillë është i bazuar në dispozitë të qartë ligjore apo autorizim të posaçëm nga organi kompetent gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Lexo edheDyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, policia me aksion në tri komuna
Në zbatimin e detyrimeve ligjore, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes, institucionet do të themelojnë Grupin Koordinues të përbashkët, i cili do të monitorojë zbatimin e Marrëveshjes dhe do të ndërmarrë veprime për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.














