Qendra e Vetëvendosjes në Besianë ka reaguar ndaj pamundësimit të mbajtjes së tubimeve në shkollat e qytetit vetëm për të.
Lidhur me këtë pamundësim, Vetëvendosje ka akuzuar drejtorin e kësaj komunve, Agim Veliun dhe drejtorin e Arsimit, Avni Malokun, shkruan Periskopit.
E sipas Vetëvendosjes, shkollat mbeten të hapura për takime të LDK-së.
Në faqen zyrtare në Facebook VV ka publikuar fotografi të mbajtjes së mbledhjeve nga ana e LDK-së në shkolla të qytetit, ku në këto takime, përveç tjerash, zyrtarët e LDK-së shkojnë edhe me vetura zyrtare.
Reagimi i plotë:
Siç kemi raportuar një ditë më parë, sot u konfirmua edhe njëherë kapja dhe privatizimi i institucioneve dhe hapsirave publike nga klani i Agim Veliut, përmes mashës së tij, drejtorit të Arsimit, Avni Maloku.
Disa aktivistë të Qendrës së Besianës, sot vizituan shkollat fillore në Bajçinë dhe në Kërpimeh, për të dëshmuar edhe njëherë, me anë të fotografive, atë që ne po e themi qe sa kohë, se shkollat publike po mbyllen vetëm për Lëvizjen, por jo edhe për LDK-në.
Refuzimi i kërkesave të Lëvizjes për t’i shfrytëzuar hapsirat publike për takime me qytetarë dhe në anën tjetër shfrytëzimi i tyre në çdo kohë për takime të LDK-së, shpërfaq frikën e pushtetit nga rritja e përkrahjes për Lëvizjen.
Përpos kësaj, përmes këtyre fotografive, dëshmohet gjithashtu keqpërdorimi i veturave zyrtare në fushatë zgjedhore të LDK-së.


