Adelina Thaçi-Meta jeton në Prishtinë. Njihet si soliste e suksesshme e muzikës klasike, sikur edhe pop-këngëtare e afirmuar në skenën e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Ka fituar pothuajse të gjithë titujt kryesorë të festivaleve shqiptare. Ka tri albume të incizuara e shumë këngë solo të tjera dhe videoklipe. Ka koncertuar me numër të madh koncertesh brenda dhe jashtë vendit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ka bashkëpunuar me tenorin e famshëm José Carreras, sikurse ka incizuar një duet të këngës “Dolce Suono”, e shkruar nga kompozitori Bashkim Shehu, nën dirigjimin e David Himenes.
Përveç tij, ka bashkëpunuar edhe me emra të tjerë të njohur të dirigjentëve si: John Cameron, Hermine Pack, Biserka Chadlovska, Wolfgang Shmidt, Ira Spaulding, Tomislav Shopov e të tjerë. Në vitin 2008 ka fituar çmimin “Bruna Spiler” në Herceg-Novi.
Më 2003, në bashkëpunim me “American Voices”, mori pjesë në mjuzikllin “West Side Story” nga L. Bernstein dhe Porgy, si dhe Bess e G. Gershwin. Ka interpretuar shumë arie nga opera të ndryshme botërore. Është pedagoge dhe profesoreshë e këndimit.
Thaçi-Meta është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Muzika. Përmes saj mund ta shprehësh atë që s’mund ta thuash me fjalë, e që është e pamundshme me heshtë. Kam një tatu në trupin tim, ku e kam shkru: “Muzika është shpirti im” (Music is my Soul), sepse përmes tingujve, interpretimit, kam arritë që lumturinë apo dhimbjen me e shpreh siç zemra e ndien vërtet.
Muzika i jep shpirt universit, krah mendjes dhe sharm e gjithçka tjetër jetës.