Një person ka humbur jetën pasdite në fshatin Dobërçan të Gjilanit, pasi dyshohet se ka rënë në një bunar derisa ishte duke e pastruar.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas Hashanit, Policia ka pranuar njoftimin rreth orës 14:23 dhe njësitet patrulluese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Më datën 29.06.2026, rreth orës 14:23, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar një thirrje lidhur me një rast në fshatin Dobërçan. Njësitet patrulluese i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para dyshohet se një person ka rënë në një bunar derisa ishte duke e pastruar atë”, deklaroi Hashani.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë bërë zbrazjen e bunarit për të mundësuar nxjerrjen e viktimës.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë bërë zbrazjen e bunarit. Pas kësaj është tërhequr trupi i viktimës, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Viktima është i lindur në vitin 1951”, tha Hashani.
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë dhe njësitë e forenzikës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Lajmi.net/