Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në inaugurimin e gjeneratës së re të Kualifikimit të Nivelit V Post-Sekondar për Asistent për Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore.
Duke shprehur mbështetjen e Qeverisë për nismat të cilat i fuqizojnë profesionistët e arsimit dhe krijojnë mundësi më të mira për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë, kryeministri në detyrë Kurti tha se arsimi gjithëpërfshirës është një objektiv politikash dhe përgjegjësi e përbashkët për investim në të ardhmen e vendit dhe në respektimin e të drejtave të njeriut.
“Një shoqëri që çmon dijen për të gjithë, prodhon më shumë drejtësi për secilin. Andaj, përgatitja profesionale e asistentëve për nxënës me nevoja të veçanta arsimore ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve”, tha ai, duke shtuar se këta profesionistë luajnë një rol kyç në përkrahjen e fëmijëve dhe në ndërtimin e shkollave ku secili nxënës ndihet i barabartë.
Kryeministri në detyrë Kurti falënderoi asistentët e ardhshëm, për përzgjedhjen e këtij profesioni fisnik dhe me ndikim të madh shoqëror.