Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se planifikon të japë dorëheqjen nga presidenca brenda tre deri në katër muajsh dhe njoftoi se Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet do të mbajë një tubim të madh në Beograd më 27 qershor për të prezantuar një pjesë të platformës së saj zgjedhore, shkruan N1.
Duke folur në TV Prva, Vuçiq përsëriti se do të tërhiqej nga presidenca, por tha se ende nuk mund të thoshte nëse Serbia do të mbante vetëm zgjedhje të parakohshme presidenciale apo zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Ai shtoi se vendimi do të merret nga institucionet përkatëse shtetërore.
Vuçiq njoftoi gjithashtu se SNS do të organizojë një tubim përpara ndërtesës së Asamblesë Kombëtare në Beograd më 27 qershor, ku do të zbulojë emrin e listës së saj zgjedhore, sloganet e fushatës dhe një pjesë të programit të saj përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Më herët këtë muaj, Vuçiç tha se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin “menjëherë pas verës”. Pas njoftimit të tij se synon të japë dorëheqjen si president, pritet gjerësisht që ai të kryesojë listën zgjedhore të SNS-së si kandidat për kryeministër.
Tragjedia në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, e ndodhur më 1 nëntor 2024, mori 16 jetë njerëzish. Shembja e strehës së betonit la pas edhe shumë të plagosur, duke shkaktuar zemërim të gjerë publik dhe valë protestash në mbarë Serbinë për të kërkuar përgjegjësi penale e politike.