Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit është drejt përfundimit në nivel vendi, ndërsa ka mbetur të përmbyllet vetëm në komunën e Prishtinës.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, deri të premten në orën 16:00, procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 37 nga 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), ndërsa janë procesuar 2,425 nga 2,498 vendvotime, apo 97.07 për qind e tyre, raporton lajmi.net
Elezi ka bërë të ditur se gjatë së premtes është përmbyllur procesi edhe në Gjilan dhe Prizren, ndërsa numërimi vazhdon vetëm në Prishtinë, ku deri tani janë procesuar 189 nga 262 vendvotime. Në kryeqytet kanë mbetur edhe 73 vendvotime për t’u numëruar.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit. Deri në orën 17:00 janë numëruar 23 nga gjithsej 47 vendvotime të organizuara në 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme.
Sipas KQZ-së, në votimin diplomatik kanë marrë pjesë 22,860 qytetarë nga 27,724 të regjistruar, që përbën 82.46 për qind të votuesve të regjistruar.
Po ashtu, Elezi ka njoftuar se po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi me postë. Deri më 11 qershor janë shqyrtuar rreth 42 mijë pako, prej të cilave 40,414 janë aprovuar, ndërsa 1,447 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit, sipas KQZ-së, ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument i domosdoshëm për vlefshmërinë e votës me postë.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet përditësohen vazhdimisht në platformën zyrtare sapo të përfundojë numërimi i secilit vendvotim./Lajmi.net/