Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se bazuar në të dhënat nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 38.97% apo 10,804 votues.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë sot, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit.
“Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme”, shtoi Elezi.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 27,724 votues.