Të shtunen luhet ndeshja vendimtare, ku Llapi dhe Dinamo e Ferizajit përballen në barazhin e Superligës.
Skuadra nga Podujeva për vitin e dytë radhazi luan në barazh, pasi vitin e kaluar u përball me Vushtrrinë, duke fituar ndeshjen dhe siguroi mbijetesen në elitën e futbollit kosovar.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, në një intervistë për IndeksOnline, ka folur për sfidat që ka pasur gjatë këtij sezoni, por thotë se ndihet kreanar me paraqitjen e skuadrës, duke përmendur edhe faktin që skuadra e cila përfundoi në pozitën e katërt dhe do të luaj në Conference League, ka përfunduar sezonin me vetëm dy pikë më shumë.
”Nuk ndihem fare keq, as unë e as skuadra, sepse nuk kemi diferencë të madhe pikësh. Pozita e katërt në tabelë është vetëm dz pikë para nesh. Edhe Prishtina, me të gjitha ato përforcime, ka mbetur me pikë të njëjta si ne.
Edhe skuadrat më të mira në Evropë mund të kalojnë në situata të tilla si kjo e jona, por skuadrat me përvojë dhe traditë dinë ta menaxhojnë më mirë këtë situatë.”, ka deklaruar Batatina për IndeksOnline.
Ai po ashtu foli edhe për skuadrën kundërshtare, Dinamon e Ferizajit, duke thenë se kanë ardhur deri në këtë fazë pas një sezoni të mirë në Ligën e Parë, ku ka qenë në pjesën e sipërme të tabelës që nga fillimi, derisa foli edhe për përforcimet që i duhen Llapit për sezonin e ri.
”Dinamo nuk është rastësisht në këtë pozitë. Gjatë gjithë sezonit ka qenë në pjesën e sipërme të tabelës dhe është një skuadër që meriton respekt. Sigurisht, kjo ndeshje ka rëndësinë e vet, sepse vendos vazhdimin në elitën e futbollit.
Ne kemi shumë pak, ose pothuajse fare, ndryshime në skuadër. Maksimumi do të kemi katër përforcime dhe do të jemi një skuadër shumë serioze për kampionatin e ri.”, ka thënë Tahir Batatina për IndeksOnline.
Trajneri i Llapit, pas ndeshjes së fundit të kampionatit, kishte bërë disa deklarat në lidhje me skuadrat tjera të cilat sipas tij kanë bërë disa lëshime në ndeshjet e fundit, të cilat kanë ndikuar që Llapi të përfundonte në barazh.
Au shtoi se megjithatë, këto ngjarje nuk i interesojnë si klub, pasi ata kanë synimet e qarta dhe fokusohen vetëm te vetja.
”Në tri xhirot e fundit të kampionatit janë zhvilluar në një mënyrë që e dërgoi Llapin në barazh. Disa skuadra humbën pozitën e nënkampionit, ndërsa disa të tjera pranuan të mbesin më poshtë në tabelë, edhe pse ishin pretendente për titull kampioni, duke u nënshtruar para tifozëve të tyre.
Megjithatë, kjo nuk na intereson ne si klub. Ne i kemi synimet tona dhe fokusohemi vetëm te vetja. Çdo skuadër ka objektivat e saj, ne kemi tonat, por futbolli vazhdon edhe në vitet në vijim.”, ka deklaruar Tahir Batatina për IndeksOnline.
Intervistë e realizuar nga gazetari, Gjelbrim Shabani.