Një 51-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Shkodër, pasi dyshohet se ka goditur një gazetar gjatë kryerjes së detyrës.
Arrestimi i tij ka ardhur dy ditë pasi ka ndodhur rasti më 18 maj rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”.
Sipas policisë, i arrestuari ka goditur me grushte 46-vjeçarin, me ç’rast 51-vjeçari akuzohet për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
“Dhunoi fizikisht një 46-vjeçar (gazetar), për shkak të detyrës, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. Gj., 51 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas dyshohet se më datë 18.05.2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, ka goditur me grushte shtetasin E. D., 46 vjeç, gazetar”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.