Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë reformash në sektorin e arsimit gjatë viteve të qeverisjes.
Përmes një postimi publik, ajo ka deklaruar se, sipas saj, VV-ja nuk ka arritur të nisë asnjë reformë në arsim, pavarësisht buxhetit prej 1.2 miliardë eurosh gjatë gjashtë viteve në pushtet.
“Brenda gjashtë vjetëve qeverisjeje me 1.2 miliardë euro, VV-ja s’ka arritur ta niste ASNJË reformë në arsim”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka përmendur si sukses reformën e mësimit tërëditor, për të cilën tha se është realizuar brenda gjashtë muajve.
“Ja si bëhen reformat kur ka vullnet politik, kur ka vendosmëri e kur e do dijen dhe të mirën e fëmijëve. Jam krenare që brenda gjashtë muajsh kam bërë realitet reformën e mësimit tërëditor”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Lushaku-Sadriu ka theksuar se fëmijët meritojnë më shumë dije dhe një të ardhme më të mirë. /Lajmi.net/