Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendra për Barazi dhe Drejtësi (QBD) kanë publikuar raportin “Analizë e rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe nacionale 2025 nga perspektiva gjinore”, ku u theksua se përfaqësimi i grave në politikë vazhdon të mbetet shumë i ulët krahasuar me burrat.
Gjatë prezantimit të raportit, përfaqësuesja e D4D-së, Rezarta Krasniqi, tha se zgjedhjet lokale të fundit treguan mungesë të theksuar të grave në garën për kryetare komunash.
“Vetëm 10 për qind e kandidatëve të nominuar për kryetarë komunash kanë qenë gra. Në disa komuna nuk kemi pasur asnjë grua kandidate, ndërsa pas zgjedhjeve kemi 37 kryetarë komunash burra dhe vetëm një grua kryetare komune”, deklaroi Krasniqi.
Ajo shtoi se kjo situatë nuk reflekton domosdoshmërisht mungesë të mbështetjes qytetare, por mënyrën se si subjektet politike i përzgjedhin kandidatët.
“Nuk mund të themi se mungon vullneti i qytetarëve, por qytetarëve u servohet një ofertë politike ku dominojnë burrat”, u shpreh ajo.
Sipas Krasniqit, edhe pse kuota gjinore mbetet mekanizëm i rëndësishëm, ajo nuk mjafton për të arritur barazi të plotë.
“Në ligjin për barazi gjinore thuhet qartë se barazia arrihet kur kemi përfaqësim 50 me 50. Kuota prej 30 për qind është minimumi nga i cili nuk duhet të biem, por subjektet politike zakonisht ndalen vetëm te minimumi”, tha ajo.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e mbështetjes politike dhe elektorale për gratë kandidate. Sipas të dhënave të prezantuara, kandidatët burra kanë marrë rreth 98 për qind të votave totale, ndërsa gratë vetëm rreth 2 për qind.
Krasniqi tha se partitë politike shpesh nominojnë gra në komuna ku kanë pak gjasa për fitore, ndërsa në bastionet kryesore kandidojnë burra.
“Në komunat ku partitë kanë elektoratin më të fortë, zakonisht kandidojnë burra. Gratë janë kandiduar kryesisht në komuna më të vogla ose aty ku partitë kanë më pak gjasa për të fituar”, deklaroi ajo.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg, i cili tha se barrierat strukturore ndaj grave në politikë nuk janë problem vetëm në Kosovë.
“Gratë vazhdojnë të marrin pjesë aktive në politikë, por barrierat strukturore ende pengojnë përfaqësimin e plotë dhe të barabartë në institucionet vendimmarrëse. Ky është një realitet që haset në shumë vende të botës”, tha Goldberg.
Ai vlerësoi rëndësinë e raportit për institucionet dhe partitë politike, duke theksuar se rekomandimet duhet të shërbejnë për hartimin e politikave të reja.
“Demokracitë janë më të forta kur gratë dhe burrat janë të përfaqësuar dhe të fuqizuar në mënyrë të barabartë në jetën publike. Kuotat ligjore janë vetëm pikënisje, jo fundi i barazisë”, u shpreh Goldberg.