Në ditën e zgjedhjeve, votimi me kusht do të organizohet në 52 vendvotime, të shpërndara në kuadër të 38 qendrave të votimit.
Në mbledhjen e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me këtë çështje, anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, vuri në dukje se këtë vit do të jenë pesë vendvotime më pak për votim me kusht.
“Në 38 qendra të votimit me kusht janë gjithsej 52 vendvotime, për dallim prej herës së kaluar në zgjedhjet e fundit kur ky numër ka qenë për 5 vendvotime më shumë, gjithsej 57, kësaj radhe në bazë të analizës që sekretariati ka bërë e ka parë që në disa prej komunave ku qendrat kanë pasur më shumë vendvotime, janë hequr disa vendvotime në këto qendra sepse numri i votuesve në këto qendra ka qenë më i vogël sesa numri i vendvotimeve”, u shpreh Krasniqi.
Në mbledhjen paraprake të zhvilluar përmes procedurës qarkulluese, KQZ-ja miratoi edhe formulën për përbërjen e Këshillave të vendvotimeve për 7 qershor për votim të rregullt.
Në bazë të formulës së miratuar, KQZ pritet të emërojë gjithsej 14 mijë e 500 anëtarë të Këshillave të vendvotimeve, prej të cilëve 1 mijë e 110 do të jenë anëtarë rezervë.
Sipas KQZ-së, anëtarët e emëruar do të përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjës për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.
Po ashtu, KQZ-ja ka miratuar edhe formulën për përbërjen e ekipeve të numërimit në 38 Qendrat komunale të numërimit.
Në bazë të këtij vendimi, pritet të emërohen 2 mijë e 64 anëtarë të 508 ekipeve të numërimit, të cilët do të propozohen nga subjektet politike.