Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shkruar në lidhje me koalicionin e fundit që e ka bërë me Partinë Demokratike të Kosovës e për çka e kanë kritikuar edhe partia e tij.
Për Qeverisjen, ai ka thënë se është përgjegjësi ndaj qytetarit dhe për çka ka thënë se obligimi moral dhe politik është që të ofrojnë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.
Rama ka thënë se politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar të mirën publike për qytetarin, shkruan lajmi.net.
“Sot, Prishtina ndodhet para një momenti të rëndësishëm historik dhe zhvillimor. Me projektet madhore që na presin, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, ne nuk po ndërtojmë vetëm infrastrukturë moderne, por po ndërtojmë identitetin dhe perspektivën e një Kryeqyteti europian, funksional dhe konkurrues. Këto procese kërkojnë stabilitet institucional, bashkëpunim dhe vendimmarrje të përgjegjshme. Në një rend demokratik, dallimet janë të natyrshme dhe legjitime. Por pjekuria politike matet me aftësinë për t’i tejkaluar ato në funksion të interesit të përbashkët”, ka thënë Rama teksa ka arsyetuar koalicionin e bërë.
Ai ka thënë se qytetarët jetojnë në komunitet të përbashkët dhe jo në parti, prandaj ata janë përgjegjësi e përbashkët.
“Nevojat e tyre nuk janë çështje interpretimi politik, por detyrim për zgjidhje konkrete të menjëhershme. Jam kundër çdo retorike përçarëse. Ne jemi një POPULL. Një SHTET. Prandaj, duhet vizion i përbashkët, stabilitet dhe veprime të përgjegjshëm institucionale nga secili prej nesh”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se kanë finalizuar bashkëqeverisjen në kryeqytet me AAK-në, Nismën Socialdemokrate, Lidhjen për Prishtinën dhe PDK-në.
“Në këtë kuadër, emërimet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), janë bërë konfirm propozimeve të ardhura nga ”Kolegjiumi” i përbërë nga pesë degët e Prishtinës, një mekanizëm i themeluar nga vetë LDK, që garanton përfaqësim, balancë dhe legjitimitet të brendshëm. Paralelisht, janë emëruar edhe përfaqësuesit e partnerëve tanë nga AAK, Nisma, Lidhja për Prishtinën dhe PDK, duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale. Kryeqyteti është shembull i bashkëpunimit dhe zhvillimit dhe ashtu do të mbetet!”, ka shtuar ai.
Ai ka shprehur mirënjohje për drejtorët e deritanishëm për punën, ndërsa drejtorëve të rinj iu ka uruar suksese dhe përgjegjësi në detyrat që marrin përsipër.
“Ashtu siç e kam përkrahur pakusht Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e kaluara, do ta përkrah edhe në këto zgjedhje, me bindjen se demokracia, stabiliteti institucional dhe kultura shtetformuese duhet të mbrohen dhe të forcohen vazhdimisht. Përgjegjësi, rend, zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarit, pa retorikë përçarëse por me vizion të qartë për të ardhmen, kjo është filozofia e së djathtës! Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim. Sepse lidershipi i vërtetë nuk matet me aftësinë për të krijuar tension, por me aftësinë për të bashkuar njerëzit, për të ndërtuar stabilitet institucional, dhe për ta çuar vendin përpara”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: