BallinaOpinioneMagna Carta: Pushteti si shërbim, jo si sundim

Magna Carta: Pushteti si shërbim, jo si sundim

Të ngjajshme

Raporti i PE-së: Mali i Zi, vendi më i avancuar në rrugën drejt BE-së

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi...

Legjenda Schmeichel propozon transferimin e Granit Xhakës te Manchester Unitedi

Ish-portieri legjendar, Peter Schmeichel ka dhënë një mesazh të...

Anija nga Danimarka kalon Ngushticën e Hormuzit nën përcjelljen e ShBA-së

Kompania për transportin e mallrave të Danimarkës, Maersk bëri...

Shkruan: Arben Malaj

Mesazhi i Magna Carta-s (Karta e Madhe e Lirive) e vitit 1225, rreth 800 vite më parë, vlen sot më shumë se kurrë. Thelb, kur ligji është mbi njeriun, kemi drejtësi; kur njeriu është mbi ligjin, kemi vetëm diktaturë të maskuar. Udhëheqësi i vërtetë është ai që e lë vendin më të lirë seç e gjeti. Në historinë e njerëzimit, pushteti ka qenë shpesh një forcë dehëse, që korrupton këdo që është viktimë e babëzisë për pushtet absolut, të pakufishëm dhe të pakontrollueshëm. Themelet e qytetërimit politik nuk janë ndërtuar mbi dëshirën për të sunduar, por mbi guximin për të kufizuar pushtetin. Sot, kur bota përballet me rritjen e liderëve që kërkojnë pushtet absolut dhe mandate të pakufizuara, mesazhet e Mbretit Charles III dhe shembulli i George Washington shërbejnë si një thirrje inspiruese për t’u vetëndërgjegjësuar për pasojat e heshtjes sonë.

Mbreti Charles III, në fjalën e tij në Kongresin e SHBA, iu referua me një respekt pothuajse mistik Magna Carta-s. Ky referim nuk është thjesht një homazh ndaj antikitetit, por një riafirmim i kontratës bazë të qytetërimit: vullneti i monarkut duhet t’i nënshtrohej ligjit të vendit. Ky parim 800-vjeçar na mëson se ndarja, balanca dhe kontrolli i pushteteve është “spiranca” që mbron kombet nga sistemet jodemiokratike. Nëse Magna Carta vendosi kufijtë ligjorë, George Washington vendosi kufijtë moralë që ndryshuan rrjedhën e historisë. Pas fitores në Luftën Revolucionare, Washington kishte fuqinë të bëhej mbret apo diktator, por ai zgjodhi të ishte një qytetar modest. Kur erdhi koha për mandatin e tretë në vitin 1796, ai u tërhoq me argumentin goditës: “Unë nuk e munda një mbret për t’u bërë vetë mbret”. Ky integritet shërbeu si një “Kufi Moral” i pashkruar për rreth 155 vite, përpara se të kthehej në ligj të shkruar me Amendamentin e 22-të në vitin 1951. Ky është modeli i vërtetë i lidershipit: të dish që suksesi yt më i madh nuk është pushteti që ushtron, por pushteti që dorëzon. Përballë pasojave negative të sistemeve autokratike deri neodiktatoriale, vaksina politike mbetet rizgjimi qytetar.

Sot, Ballkani dhe Shqipëria, por edhe demokraci të konsoliduara, po rrezikohen nga “mbretëritë kryeministrore dhe presidenciale”. Po instalohen modele ku liderët kërkojnë të kontrollojnë gjithçka: gjykatat, median, ekonominë dhe vetë të ardhmen. Ndryshe nga Washington, autokratët “modernë” e shohin ligjin si mjet për të asgjësuar kundërshtarët dhe pushtetin si pronë private. Por kur një lider refuzon të largohet, ai thyen “Kontratën e Brezave”, duke prodhuar vetëm rrethe vicioze korrupsioni dhe apatie qytetare. Kur elitat heshtin, zgjidhja mbetet te rizgjimi i votuesve. Gjenerata Z dhe votuesit e rinj kanë në duar forcën për të rikthyer parimet universale të lirisë. Rasti i freskët i Hungarisë, ku pjesëmarrja arriti deri në 80%, është referencë frymëzuese se çdo autokrat mund të mposhtet.

Integriteti nuk është një koncept abstrakt; ai është veprimi i qytetarit që refuzon të shesë votën dhe kërkon ligj të barabartë për të gjithë. Timothy Snyder studiuesi i shquar i Universitetit të Yale, është një nga ekspertët më të njohur botërorë për autoritarizmin dhe historinë e Europës Lindore e Qendrore në libri i tij të famshëm “Mbi Tiraninë: Njëzet mësime nga shekulli i njëzetë” paraqiti një manual rezistence civile pas zhvillimeve politike të viteve të fundit. Tri elemente thelbësore të këtij manuali përfshijnë: (i) Mos u bind paraprakisht – Snyder argumenton se pjesa më e madhe e fuqisë së autoritarizmit jepet falas nga vetë qytetarët. Njerëzit shpesh mendojnë paraprakisht se çfarë do të kërkojë një pushtet më shtypës dhe fillojnë të përshtaten përpara se kjo t’u kërkohet. Kjo “bindje paraprake” i tregon liderit autokrat se çfarë mund të bëjë, duke i hapur rrugën për të ecur më tej pa hasur rezistencë: (ii) Mbro institucionet, Snyder thekson se institucionet (si gjykatat, media e lirë, shoqatat profesionale) nuk mbrohen dot vetë.

Ato janë si “pasqyra” që thyejnë imazhin e një diktatori të vetëm. Snyder qartëson se sapo të humbasë besimi te institucionet ose kur ato pushojnë së funksionuari si të pavarura, rruga drejt tiranisë është e hapur. Prandaj, qytetarët duhet t’i mbështesin ato në mënyrë aktive.:(iii) Besoji së vërtetës dhe fakteve – Snyder paralajmëron se të heqësh dorë nga faktet do të thotë të heqësh dorë nga liria. Nëse asgjë nuk është e vërtetë, atëherë askush nuk mund të kritikojë pushtetin, sepse nuk ka asnjë bazë mbi të cilën të bazohet kritika.

Kur njerëzit humbasin aftësinë për të dalluar të vërtetën nga propaganda, ata bëhen pre e lehtë e liderëve që sundojnë përmes emocioneve dhe miteve, duke çuar në atë që ai e quan “vdekja e së vërtetës”, që është parathënia e tiranisë.

Mbreti Charles III e mbrojti këtë trashëgimi të vazhdimësisë së institucioneve edhe përmes diplomacisë së tij të mprehtë. Kur Presidenti Trump i kujtoi Evropës borxhin ndaj SHBA-së, duke thënë se pa amerikanët evropianët do të flisnin gjermanisht, Mbreti, me elegancë dhe humor, i kujtoi se pa fitoren britanike në shekullin XVIII, amerikanët sot do të flisnin frëngjisht. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, respekti dhe bashkëpunimi i bazuar në vlerat e përbashkëta janë domosdoshmëri jetike. Trashëgimia e Washingtonit dhe Charles III na kujtojnë se lidershipi i vërtetë nuk qëndron në mbajtjen e pushtetit, por në krijimin e një sistemi ku liria mbijeton edhe pa individin në krye.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz