Gazeta zvicerane “Bote der Urschweiz” raporton se një gjykatë në kantonin e Schwyzit ka shpallur fajtor një shtetas kosovar 44-vjeçar, i cili vepronte si sipërmarrës në sektorin e ndërtimit, për një sërë deliktesh të rënda financiare.
Sipas vendimit, i akuzuari ka dëmtuar qëllimisht kreditorët duke transferuar shuma të mëdha parash nga kompanitë e tij zvicerane drejt Kosovës, në një kohë kur bizneset e tij në Zvicër ishin në prag të falimentimit.
Hetimet kanë vërtetuar se ky sipërmarrës i dyshimtë përdori emra pothuajse identikë për firmat e tij në të dyja shtetet, duke lehtësuar kështu kalimin e miliona frangave pa asnjë shërbim real në këmbim.
Prokuroria argumentoi se këto fonde, së bashku me shuma të tërhequra në para të gatshme, u investuan për ndërtimin e një hoteli luksoz dhe një kazinoje në Kosovë, projekte këto që ende nuk janë përfunduar.
Përveç manipulimit me fondet e kompanive, ai u dënua edhe për mashtrim me kreditë shtetërore të periudhës së pandemisë, ku përmes falsifikimit të të dhënave të qarkullimit arriti të përfitonte rreth një milion franga.
Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja tentoi të argumentonte se klienti vuante nga probleme të rënda psiqike dhe se nuk ishte në gjendje të përballonte gjykimin, duke kërkuar lirim nga akuzat.
Megjithatë, trupi gjykues e hodhi poshtë këtë kërkesë dhe e shpalli atë fajtor për dëmtim të kreditorëve, keqmenaxhim të përsëritur, mungesë të kontabilitetit dhe falsifikim dokumentesh.
Një tjetër pikë e rëndë në aktakuzë ishte edhe ajo e detyrimit, pasi ai kishte kërcënuar një person të dëmtuar gjatë procesit të marrjes në pyetje në polici.
Vendimi i gjykatës parashikon një dënim prej 36 muajsh burgim, nga të cilët i dënuari duhet të vuajë 12 muaj në burg efektiv, ndërsa pjesa tjetër mbetet me kusht.
Masa më e rëndë financiare është kërkesa e zhdëmtimit prej 1,5 milionë frangash që ai i detyrohet kantonit Schwyz, shumë kjo që korrespondon me paratë e fshehura apo të transferuara jashtë vendit.
Gjithashtu, ai duhet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës që arrijnë në rreth 155’000 franga.
Megjithëse prokuroria kërkoi dëbimin e tij nga shteti zviceran, gjykata nuk e pranoi këtë masë, duke vlerësuar se nuk ka rrezik për përsëritjen e veprave në të ardhmen.
Ky vendim nuk është ende i formës së prerë dhe mund të apelohet në instancat më të larta gjyqësore.