BallinaLajmeEkspertët thonë se i akuzuari për krime lufte Stojanoviq është i aftë...

Ekspertët thonë se i akuzuari për krime lufte Stojanoviq është i aftë për gjykim, Gjykata refuzon kërkesën për super-ekspertizë në Shkup

Të ngjajshme

Ish-diplomati amerikan takohet me Vuçiqin në Beograd, flet për të “ardhme të ndritur SHBA-Serbi”

Ish-zyrtari i Deparamentit amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ish-zyrtari...

Lladrovci: Mësim i vonuar, në politikë megjithatë ka vlerë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me...

Elijona dhe Klodi kapen mat në Tiranë

Elijona dhe Klodi janë parë së bashku në rrugët...

Zyrtare: Bilbao bëhet me trajner të ri, e ulë në stol ish-in e Dortmundit!

Klubi spanjoll Athletic Club Bilbao ka zyrtarizuar emërimin e...

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj të akuzuarve Dragan Cvetkoviq, Dragan Niciq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jetivq, të cilët akuzohen për krime lufte në fshatrat e regjionit të Gjilanit më 1999, të hënën trupi gjykues ka konstatuar se i pandehuri Stojanoviq është i aftë mentalisht për t’u ballafaquar me procesin gjyqësor, kurse refuzoi kërkesën e mbrojtjes për një super-ekspertizë në Klinikën e Psikiatrisë në Shkup.

Në këtë seancë u dëgjua grupi i ekspertëve nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), i përbërë nga ekspertë Shpend Haxhibeqiri, Bujar Obërtinca dhe Arife Veselaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Eksperti Haxhibeqiri, bëri të ditur se i akuzuari Nenad Stojanoviq i është nënshtruar një ekzaminimi nga 24 janari deri më 17 mars 2026.

“Gjatë kësaj kohe, ai është monitoruar 24 orë në ditë përmes kamerave dhe personelit mjekësor, ku nuk është hasur asnjë problematikë e funksionimit psikik apo fizik”, deklaroi eksperti Shpend Haxhibeqiri.

Lidhur me pretendimet e mbrojtjes për diagnozën e mëhershme të të akuzuarit Stojanoviq, eksperti Shpend Haxhibeqiri deklaroi se ajo është diagnozë e klasifikimit të vjetër, e cila nuk ka të bëjë me klasifikimin ndërkombëtar të sëmundjeve mendore të sotme.

Sipas tij, në bazë të vlerësimeve aktuale, nuk konstatohen deficite intelektuale klinike të rëndësishme dhe se funksionimi kognitiv, gjykimi dhe orientimi janë brenda normales.

Ekspertët deklaruan se i akuzuari ka funksionuar normalisht në jetën e përditshme, është martuar dhe ka punuar për 10 vite si rreshter në TMK, ku ka mbajtur edhe armë me municion pa asnjë incident.

Psikologia klinike Arife Veselaj tha se koeficienti i inteligjencës së të akuzuarit Stojanoviq është “90 e sipër”, që sipas saj, konsiderohet koeficient normal. Ajo sqaroi se harresa e disa datave si vdekja e bashkëshortes apo nënës vjen si pasojë e ngarkesave emocionale dhe nuk përbën problem klinik të kujtesës.

Sipas Veselajt, gjatë testimeve është identifikuar se i akuzuari ka vështirësi me numrat, por theksoi se kjo gjë nuk e prek funksionimin e përgjithshëm dhe nuk e dëmton gjykimin.

Mbrojtja kontestoi konstatimet e ekspertëve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Dragan Niçiq, avokati Vasilije Arsiq tha se si munden ekspertët në vitin 2026 të japin konstatime për gjendjen mentale të të akuzuarit në vitin 1999.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sllobodan Jevtiq, avokati Miodrag Bërkljaq, kontestoi argumentet e ekspertëve se martesa apo shërbimi ushtarak i Stojanoviqit janë dëshmi të aftësisë së tij mentale. Tha se i pandehuri nuk ka pasur ndonjë mangësi trupore që do ta pengonte martesën dhe se angazhimi i tij në luftë nuk kërkonte përgatitje të lartë intelektuale.

“Ai ishte ushtar me lopatë. Kjo dikur quhej inxhinieri… për të cilën nuk duhej ndonjë shkollë”, deklaroi Bërkljaq.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nenad Stojanoviq, avokati Millosh Nikoliq propozoi që të urdhërohet një super-ekspertizë, duke pretenduar se ekzistojnë kundërthënie mes dy ekspertizave të deritanishme, por kërkoi që ajo të kryhet nga Klinika e Psikiatrisë në Shkup.

Këtë propozim e kundërshtoi prokurori Armend Zenelaj, duke argumentuar se raportet e hartuara nga grupi i ekspertëve kanë gjetje të harmonizuara dhe se nuk ka nevojë për super-ekspertizë.

Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Rrahman Beqiri mori vendim me të cilin refuzoi propozimin e mbrojtjes për super-ekspertizë në Shkup. Gjykata vlerësoi se dy raportet e realizuara nuk kanë kundërthënie të atilla që do t’i obligonin ata të urdhëronin një ekzaminim të ri.

“Gjykata konstaton se i pandehuri Nenad Stojanoviq është i aftë të përballet me procedurën në këtë çështje penale”, deklaroi gjykatësi Beqiri.

Gjykata sqaroi se nuk janë plotësuar kriteret nga neni 510 i Kodit të Procedurës Penale për ta konsideruar të pandehurin të paaftë për t’u gjykuar.

Meqenëse ndaj këtij vendimi mbrojtja ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Në seancën fillestare të mbajtur më 15 janar 2025, pesë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprn penale që iu vihet në barrë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 dhjetor 2024, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Dragan Cvetkoviq, Dragan Niciq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jetivq, të cilët akuzohen se si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht më 5 maj 1999, në orët e para të mëngjesit kishin ndërmarrë një aksion në disa fshatra të regjionit të Gjilanit, ku ishin vrarë tetë civilë shqiptarë.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se në mes të fshatrave Inatoc (Kukaj) dhe Llovcë te vendi i quajtur “Kisha e Epërme”, fillimisht të akuzuarit i kishin ndalur viktimat Rr.I., dhe Xh.Z., dhe kishin filluar ta maltretonin Rr.I., duke e goditur pandërprerë në pjesë të ndryshme të trupit, e më pas kishin shtënë me armë në drejtim të Xh.Z., e cila ishte duke ecur në drejtim të Rr.I., ku si pasojë Xh.Z., kishte mbetur e vrarë.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kishin vazhduar ta godasin me thika tani të ndjerin Rr.I. në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas në një grumbull të dushkut të ndezur, i kishin vendosur të dy viktimat, ku Rr.I., ishte ende gjallë dhe i kishin djegur trupat e tyre, ngjarje kjo e cila ishte parë nga dëshmitari okular R.R.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur, në drejtim të fshatit Llovcë në vendin e quajtur “Lugu i Elbishtës”, i kishin ndaluar tani viktimat R.D., S.Xh., Xh.H., A.R., të dëmtuarit N.H., si dhe N.H., të cilët nën kërcënim të armëve i kishin detyruar të shtriheshin në tokë, i kishin kontrolluar dhe më pas e kishin liruar N.H., ndërsa kishin shtënë me armë në drejtim të viktimave, ku si pasojë kishin mbetur të vrarë R.D., S.Xh., Xh.H., A.R. Ndërsa, N.H., e kishin urdhëruar që t’i grumbullonte trupat e viktimave e t’i vendoste mbi një grumbull të drunjëve, pastaj e kishin urdhëruar që të shtrihej edhe vetë mbi viktimat dhe kishin shtënë me automatik mbi të dëmtuarin N.H., i cili kishte marrë dy plagë, një në qafë dhe në shpatullën e majtë, por që iu kishte mbijetuar plagëve të marra.

Më tej, në aktakuzë thuhet se në fshatin Llovcë përderisa popullata civile ishin duke u larguar me traktora me rimorkio, pjesëtarë të këtij grupi kriminal kishin filluar të gjuanin në drejtim të tyre ku si pasojë ishte plagosur viktima N.A., e cila si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë, dhe po ashtu ishte plagosur edhe M.A., e cila në atë kohë ishte 2-vjeçe. Gjithashtu, edhe në dalje të fshatit Pogragjë, ky grup kriminal kishin shtënë në drejtim të viktimës N.R., i cili kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Në aktakuzë, thuhet se po ashtu, ky grup kriminal kishin maltretuar edhe të dëmtuarit F.H., B.M., dhe M.R., ku këta dy të fundit i kishin dërguar në një kooperativë bujqësore në fshatin Pasjan, ku i kishin maltretuar në forma ç’njerëzore.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ -së.

Ndërkaq, të pandehurit, Milosh Shoshiq dhe Nenad Stojanoviq akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 i Kodit Penal. 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz