BallinaOpinioneProf. Dr. Halil Krasniqi – kirurgu që shëron me bisturi dhe me...

Prof. Dr. Halil Krasniqi – kirurgu që shëron me bisturi dhe me fjalë

Të ngjajshme

Në jetën publike shqiptare rrallë hasen personalitete që arrijnë të bashkojnë me aq natyrshmëri profesionin mjekësor, angazhimin intelektual dhe krijimtarinë letrare, sa Prof. Dr. Halil Krasniqi.

I njohur prej vitesh si kirurg me përvojë të gjatë profesionale në Gjermani, pedagog, autor dhe opinionist, ai përfaqëson figurën e njeriut që dijen nuk e mban vetëm për vete, por e kthen në shërbim të shoqërisë.

Përveç punës së tij të përditshme si mjek kirurg dhe specialist me karrierë të gjatë, Prof. Krasniqi është shquar edhe si ligjërues, edukator dhe autor i një numri të konsiderueshëm librash me karakter shkencor, edukativ, kulturor dhe shoqëror. Për vite me radhë ai ka botuar artikuj, analiza dhe reflektime në gazeta të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare, duke trajtuar tema nga mjekësia, shëndeti publik, politika, shoqëria, diaspora dhe jeta moderne.

Libri i tij më i ri, “101 Pyetje të Kirurgjisë Moderne”, paraqet vazhdimin logjik të këtij misioni intelektual. Në këtë vepër, autori i përgjigjet pyetjeve më të shpeshta që pacientët dhe qytetarët kanë rreth kirurgjisë moderne: kur nevojitet operacioni, cilat janë rreziqet, si zhvillohet trajtimi, çfarë ndodh pas ndërhyrjes dhe si rikthehet pacienti në jetën normale. Libri është shkruar me gjuhë të kuptueshme, duke e afruar shkencën me njeriun e zakonshëm.

Ky libër është një udhërrëfyes i qartë dhe praktik në botën e kirurgjisë së sotme. Ai u drejtohet pacientëve, familjarëve, personave të interesuar për mjekësinë, si dhe kujtdo që dëshiron të kuptojë më mirë se çfarë përfaqëson kirurgjia moderne në jetën e përditshme.

Në qendër të librit qëndrojnë 101 pyetje që lindin shpesh në praktikën kirurgjikale: Kur është e nevojshme një operacion? Cilat janë rreziqet? Si përgatitet pacienti për ndërhyrje? Çfarë ndodh pas operacionit? Si shërohen plagët? Kur mund të rikthehet njeriu në punë, në sport dhe në jetën normale?
Autori ndërthur përvojën e tij shumëvjeçare si kirurg dhe kirurg vaskular me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Temat mjekësore nuk paraqiten në mënyrë të ndërlikuar, por shpjegohen qartë, në mënyrë që lexuesi të fitojë siguri dhe të kuptojë më mirë proceset që lidhen me trajtimin kirurgjik.

Libri trajton aspektet kryesore të kirurgjisë moderne, nga diagnostikimi dhe vendimmarrja për operacion, deri te trajtimi pas operacionit. Përfshihen gjithashtu tema si teknikat minimal invazive, kirurgjia vaskulare, kujdesi për plagët, komplikacionet, terapia e dhimbjes, formimi i plagëve (cikatricet), higjiena dhe siguria e pacientit.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet informimit të pacientit. Një pacient i informuar e kupton më mirë sëmundjen e tij, merr vendime më të vetëdijshme dhe përballet me më pak frikë me trajtimin.
“101 Pyetje të Kirurgjisë Moderne” është një libër që ndërthur dijen mjekësore me përvojën praktike dhe përgjegjësinë njerëzore. Ai e paraqet kirurgjinë jo vetëm si teknikë operative, por si art mjekësor që kërkon dije, kujdes, përvojë dhe besim.

Por kjo nuk është vepra e vetme. Prof. Krasniqi ka botuar edhe libra me tematika të ndryshme që dëshmojnë gjerësinë e interesave të tij intelektuale. Ndër to spikat libri “Shëndeti në Ekuilibër”, ku trajtohet rëndësia e balancës mes trupit, mendjes dhe mënyrës së jetesës. Në librin “Die Kraft der Liebe und Sexualität”, ai prek dimensionin biologjik, emocional dhe njerëzor të dashurisë dhe seksualitetit, duke sjellë një qasje të guximshme dhe shkencore ndaj një teme shpesh të paragjykuar.
Në veprën “Hauttumoren”, autori sjell përvojën e tij kirurgjikale mbi tumoret e lëkurës, ndërsa në librin “Kosova – Drejt Evropës” ai reflekton mbi zhvillimin shtetëror, politik dhe shoqëror të Kosovës, duke e parë atë nga perspektiva e një intelektuali me përvojë edhe në politikën lokale gjermane.

Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zënë edhe veprat letrare dhe poetike, si „ Nënës, vatres së shpirtit“ krijimtari letrare kjo në gjuhën shqipe dhe gjermane. Pastaj përmbledhja poetike “Meine Seele braucht Dich”, “Das gebrochene Herz”, apo libri prekës “Mos mendo se të kemi harruar”, kushtuar kujtimit familjar dhe dhimbjes njerëzore. Në to shfaqet një anë tjetër e autorit: ndjeshmëria, kujtesa dhe shpirti poetik.
Po ashtu, me librin “Doracak praktik Shqip-Gjermanisht”, të botuar vite më parë, ai ndihmoi shumë bashkatdhetarë në Gjermani në hapat e parë të integrimit dhe komunikimit, duke dëshmuar se angazhimi i tij ka qenë gjithmonë i lidhur me nevojat reale të njerëzve.

Prof. Dr. Halil Krasniqi përfaqëson modelin e intelektualit aktiv, i cili nuk kufizohet vetëm në profesionin e vet, por kontribuon në shumë fusha: në mjekësi, në edukim, në kulturë, në media dhe në jetën shoqërore. Ai është nga ata njerëz që edhe pas një karriere të suksesshme, vazhdojnë të krijojnë, të shkruajnë dhe të japin.

Në kohën kur shoqëria ka nevojë për figura që bashkojnë dijen me përkushtimin dhe suksesin me modestinë, emri i Prof. Dr. Halil Krasniqit mbetet një shembull frymëzues për brezat e rinj shqiptarë kudo që jetojnë.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz