Në shënimet e tij javore në podcastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama dha detaje për marrëveshjen e sapo nënshkruar me SHBA-në për gazin e lëngshëm.
Rama tha se kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë drej pavarësisë energjetike. Ai shtoi se Shqipëria do të furnizohet me gaz natyror nga SHBA për një periudhë prej 20 vitesh dhe se nëpërmjet TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.
“Ishte kjo një javë ku hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike. Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton topchannel.
Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.
Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.
Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin ku ndodhet dhe gazsjellësi Transadriatik”, tha kryeministri.