Pas dështimit për të zgjedhur Presidentin/en e re të Kosovës, Kuvendi i Kosovës është shpërndarë të martën e 28 prillit, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme që vijnë vetëm pak muaj para atyre të 28 dhjetorit, do t’i sjellin Kosovës legjislaturën e 11-të me radhë, shkruan lajmi.net.
Zgjedhjet pritet të mbahen më datë 7 qershor 2026, pasi të gjitha partitë politike janë pajtuar për këtë datë që është parë idealja që qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.
Për dallim nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, në listë zgjedhore në këto zgjedhje do të jetë edhe Partia Socialdemokrate.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zyrtarja e kësaj partie Natyra Kuçi.
Ajo ka thënë se PSD do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi sipas saj vendit i mungon një opozitë prej së vërteti.
“Po. Partia Socialdemokrate (PSD) do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Vendit i mungon një opozitë prej së vërteti. Përderisa pushteti aktual vetëm sa po zë terren, duke rritur pushtetin e duke tkurrur opozitën formale, PSD është e angazhuar në rritje të fushës opozitare duke zvogluar rrezikun nga autoritarizmi përmes betejave të vazhdueshme”, ka thënë ajo.
Kuçi për lajmi.net ka thënë se PSD nuk synon të bëj koalicione.
“Nuk synojmë koalicione. Jemi të interesuar për një opozitarizëm të fuqishëm e të pakompromis. Besojmë që vendit i duhet që sa më parë ta marrë seriozisht pushtetin i cili do të përkthehet në zvoglim të demokracisë e cila ka pasoja afatgjate, nëse nuk ndërmarrim hapa konkret e të vendosur”, ka thënë Kuçi.
Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) është themeluar në vitin 2018, kryesisht nga ish-anëtarë të Lëvizja Vetëvendosje, të cilët u ndanë pas mospajtimeve të brendshme politike dhe ideologjike. Që nga themelimi, PSD është pozicionuar si një parti me orientim socialdemokrat, duke theksuar barazinë sociale, drejtësinë ekonomike dhe të drejtat qytetare.
Në vitet e para, PSD ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës përmes deputetëve që kaluan nga Vetëvendosje, mirëpo në zgjedhjet e mëvonshme parlamentare nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për përfaqësim të drejtpërdrejtë në Kuvend.
PSD ka qenë aktive në skenën politike përmes aksioneve publike, protestave dhe reagimeve ndaj zhvillimeve politike në vend, duke u pozicionuar shpesh si opozitë jashtëparlamentare ndaj qeverive në pushtet.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partia nuk ishte pjesë e garës, ndërsa pjesëmarrja e saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit shënon rikthimin e saj në procesin zgjedhor, me synimin për të forcuar rolin opozitar në vend. /Lajmi.net/