Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se mungesa e një anëtari në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e rrezikon procesin zgjedhor në Kosovë.
Pas takimit me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, Haxhiu bëri të ditur se aktualisht KQZ funksionon me 10 nga 11 anëtarë, pasi një vend ende nuk është plotësuar.
Ajo tha se për këtë çështje ka pranuar kërkesa nga subjektet politike për emërimin e anëtarit të fundit.
“Unë kam dy kërkesa, një nga PDK dhe një nga LVV për emërimin e anëtarit të fundit në KQZ”, deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, përbërja e KQZ-së duhet të respektojë parimet e përfaqësimit politik dhe proporcionalitetit, duke theksuar se këto janë standarde që nuk duhet të anashkalohen.
Ajo rikujtoi se procesi për plotësimin e këtij pozicioni është dashur të përmbyllet më herët.
“Ka qenë një proces kushtetues i nisur nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe është dashur të përmbyllet nga ajo, por kjo nuk ka ndodhur dhe tashmë afatet kanë kaluar”, u shpreh Haxhiu.
Megjithatë, ajo siguroi se funksionimi aktual i KQZ-së nuk paraqet rrezik për zgjedhjet.
“Ju siguroj se me 10 anëtarë në KQZ nuk rrezikohet as certifikimi i partive dhe as certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, theksoi ajo.
Haxhiu shtoi se çështja është në shqyrtim dhe vendimi do të merret në momentin që ajo e konsideron të arsyeshëm, duke garantuar se çdo veprim do të jetë në përputhje me përgjegjësitë institucionale. /Lajmi.net/