Marigona Kuçi, menaxhere e financave në Save the Children International dhe fituese e çmimit ACT “Ones to Watch”, ka folur për rrugëtimin e saj profesional dhe rëndësinë e qëndrueshmërisë personale
Save the Children është organizata më e madhe e pavarur në botë për të drejtat e fëmijëve, që operon si një federatë me 29 organizata anëtare në më shumë se 100 vende, duke punuar së bashku për të mbrojtur dhe përmirësuar jetën e fëmijëve në nivel global.
“Jam pjesë e ekipit të këmbimeve valutore (FX) dhe menaxhimit të riskut në zyrën në Save the Children International, ku mbështes operacionet globale të thesarit përmes raportimit, analizës dhe menaxhimit të rrezikut valutor, si dhe udhëheq disa aspekte të programeve të mbrojtjes (hedging). Ne punojmë në pesë rajone – Azi, Amerikë Latine, dy rajone në Afrikë dhe rajonin e Lindjes së Mesme dhe Evropës Lindore – duke menaxhuar likuiditetin, duke zbutur rreziqet valutore dhe duke mundësuar që zyrat zbatuese të funksionojnë në mënyrë efikase dhe të sigurt.
“Save the Children synon të arrijë çdo fëmijë, kudo që ndodhet, që do të thotë se shumë nga programet tona zhvillohen në disa nga mjediset më sfiduese në botë…” citohet Kuçi
Konflikti në Ukrainë
Kam më shumë se 15 vite përvojë si menaxhere e lartë financiare në sektorin humanitar dhe jam e përkushtuar për të përmirësuar jetën e fëmijëve. Në vitin 2022, shërbeva si zëvendësdrejtoreshë financiare për Save the Children International në Ukrainë, duke iu bashkuar zyrës vetëm tre muaj pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë.
Në rolet e mëparshme, pata mundësinë të bashkëpunoj me ekipin e thesarit të Save the Children, veçanërisht në Kiev, ku isha pjesë e grupit të mbështetjes emergjente. Ekipi i thesarit luajti një rol kritik në sigurimin e aksesit në kohë në fonde në monedhën e duhur, në mbrojtjen e fondeve të donatorëve nga rreziku valutor dhe në përballimin e sfidave operacionale me bankat lokale.
Edhe pse background’i im është në financa, kam zhvilluar një interes të fortë për të gjitha aspektet e financave, veçanërisht për menaxhimin e FX, gjë që më frymëzoi të aplikoj për rolin që kam sot.
Mjedise sfiduese
Save the Children synon të arrijë çdo fëmijë, kudo që ndodhet, që do të thotë se shumë nga programet tona zhvillohen në disa nga mjediset më sfiduese në botë, me rreth tre të katërtat e tyre në vende me rrezik të lartë ose ekstrem. Nga perspektiva e thesarit, ne jemi shumë të përqendruar në matjen dhe menaxhimin e rrezikut valutor që lind nga operacionet në këto vende.
Në rolin tim, sigurohem që funksioni i thesarit të mbetet i qëndrueshëm duke ruajtur raportim dhe analizë të fortë të FX, si dhe duke menaxhuar në mënyrë proaktive rrezikun valutor të lidhur me fondet e donatorëve. Ne përdorim një sistem të dedikuar për menaxhimin e rrezikut valutor për të monitoruar nga afër luhatjet e monedhave dhe për të reaguar menjëherë në rast zhvlerësimesh ose lëvizjesh të mëdha, duke mbrojtur fondet dhe duke maksimizuar ndikimin e tyre për të ndihmuar më shumë fëmijë.
Gjithashtu bashkëpunoj me një konsulent të jashtëm për strategjitë e mbrojtjes (hedging) dhe punoj ngushtë me zyrat zbatuese për të krijuar procese të qarta që na lejojnë të reagojmë shpejt ndaj sfidave të papritura.
Rritje, mësim dhe kontribut
Personalisht, e ruaj qëndrueshmërinë duke qenë e organizuar, duke i dhënë përparësi detyrave kryesore dhe duke zgjeruar vazhdimisht njohuritë e mia për rreziqet e reja valutore dhe strategjitë e thesarit.
Unë vij nga Kosova, një vend i vogël ku historikisht mundësitë kanë qenë të kufizuara dhe ku fusha si thesari janë më pak të zhvilluara jashtë sektorit financiar. Jam shumë mirënjohëse ndaj Save the Children për mundësinë që të jem pjesë e një ekipi profesional dhe shumë të vlerësuar, dhe jam e vendosur të rritem, të mësoj dhe të kontribuoj.
Evolucioni strategjik
Duke parë nga e ardhmja, e shoh rolin tim duke evoluar drejt një pozicioni më strategjik në menaxhimin e rrezikut valutor dhe në mbështetjen e vendimmarrjes në nivele më të larta. Aktualisht jam duke ndjekur kualifikimin profesional të thesarit ACT (CertT), një hap i rëndësishëm që po zgjeron njohuritë e mia teknike dhe po më ndihmon të lidh teorinë me sfidat reale të përditshme.
Jam e pasionuar për ta zbatuar këtë njohuri në praktikë, për të përmirësuar efikasitetin në zyrat tona dhe për të mbështetur kolegët, në mënyrë që ata të përqendrohen më shumë në atë që ka më shumë rëndësi: ndihmën ndaj fëmijëve në nevojë.
Rreth autores
Marigona Kuçi është menaxhere e thesarit për FX, risk dhe kontroll në Save the Children International. Ajo është fituese e çmimit ACT “Ones to Watch”.
Artikulli bazohet në një shkrim të publikuar në “The Treasurer”, Numri 2, 2026.