Një ngjarje e rëndë është raportuar sot në fshatin Gllaviçicë të Pejës, ku një person ka humbur jetën gjatë orarit të punës.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se dy prokurorë të shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet.
“Bëhet fjalë për një punëtor i cili, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën. Në vendin e ngjarjes janë edhe hetuesit policorë, shefi i drejtorisë rajonale të Pejës dhe Inspektorati i Punës, duke kryer ekzaminimet e nevojshme”, ka deklaruar Nikçi.
Sipas tij, viktima është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës.
Trupi i pajetë i të ndjerit pritet t’i nënshtrohet procedurave të mjekësisë ligjore, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë. /Lajmi.net/