Lulzim Peci nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave konsideron se zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës lidhur me zgjedhjen e presidentit, kanë shënuar “kulmin e destruktivitetit institucional nga ana e politikanëve në vend”.
Sipas tij, seanca e mbrëmjes së të hënës në Kuvend, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, të cilët votuan për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje – Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha – “është lojë e LVV-së”.
“E para, që ta zgjedhin në mënyrë jokushtetuese presidentin e vendit. Pastaj, përllogaritja që opozita ta dërgojë këtë veprim në Gjykatë Kushtetuese, në mënyrë që (LVV-ja) të fitojë së paku një muaj kohë dhe pastaj zgjedhjet të mbahen më 15 korrik”, tha Peci për Radion Evropa e Lirë
Ai shtoi se mbajtja e zgjedhjeve në atë periudhë lidhet me praninë e shtuar të mërgatës në Kosovë, votat e së cilës LVV-ja i përllogaritë në favor të saj.
Peci thekson se “loja e tejdukshme e LVV-së” është duke e aritur edhe një efekt tjetër.
“Efekti është devalvimi i institucionit të presidentit. Në asnjë vend presidenti nuk zgjidhet sikur të luash llotari, pa pasur marrëveshje të mirëfilltë politike, në rastet kur mungojnë votat për në gjë të tillë”, thotë Peci.
Duke iu referuar deklaratave të përfaqësuesve të opozitës, të cilët kanë paralajmëruar mundësinë e protestave edhe jashtë institucioneve, Peci ka shprehur drojën se “problemi mund të bartet në rrugë” dhe vendi “mund të futet në një rrugë pa krye”.
Peci nuk pret që partitë opozitare të marrin pjesë në në sancën e orës 19, të paralajmëruar nga kryetarja Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Pse të kthehet opozita në Kuvend? Për t’iu nënshtruar diktatit të Vetëvendosjes? Opozita nuk ka pse të kthehet në Kuvend pa pasur marrëveshje politike. Në këtë situatë, ose duhet të shkohet në zgjedhje (të parakohshme parlamentare) ose duhet nënshtruar diktatit të LVV-së, rrugë tjetër nuk ka”, thekson Peci.
Sipas tij, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit, të gjitha partitë politike, në pushtet dhe opozitë, kanë bërë veprime të përllogaritura politike të dëmshme për vendin.
Por, ai konsideron se përgjegjësia kryesore për krizën politike dhe institucionale i takon partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ka pasur ndryshim të deklaratave, të qëndrimeve, të kandidatëve, sikur të luash bilardo. Kjo është përtej një logjike institucionale dhe një shteti serioz”, theksoi Peci.
Ai shtoi se zgjidhja më e mirë e situatës do të jetë që në seancën e orës 19, të martën, të mos shkelet Kushtetuta.
“Pra, të ndalet procedimi për zgjedhjen e presidentit dhe nesër të ftohen konsultimet me partitë politike për shpalljen e datës së zgjedhjeve. Tjetër rrugëdalje ligjore dhe kushtetuese, e cila e shpëton vendin nga kriza më e thellë institucionale që kur Kosova është vend i pavarur” , theksoi Peci. REL