BallinaLajmeAjri i ndotur në Kosovë, IKSHPK ngre alarmin: Rrezik i lartë për...

Ajri i ndotur në Kosovë, IKSHPK ngre alarmin: Rrezik i lartë për shëndetin e qytetarëve

Të ngjajshme

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur alarmin për nivelin e ndotjes së ajrit në vend, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore, me pasoja të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve.

Në një komunikatë për media, IKSHPK thekson se ndotja e ajrit, e nxitur kryesisht nga sektori energjetik, përbën emergjencë të shëndetit publik. Sipas të dhënave të Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, rreth 40% e emisioneve ndotëse vijnë nga ky sektor.

Në fokus të shqetësimit janë termoelektranat Kosova A dhe Kosova B, të cilat përdorin thëngjillin dhe lëshojnë në ajër substanca të rrezikshme si ozoni, oksidet e azotit, dioksidi i squfurit dhe grimcat e imta PM10 dhe PM2.5. Sipas IKSHPK-së, ditëve të fundit është vërejtur ndotje e theksuar nga tymtarët në zonën e Obiliqit.

Instituti paralajmëron se mbi 90% e grimcave të thithura ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin respirator, duke rritur rrezikun për infeksione, sidomos te fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Efektet e ndotjes përfshijnë rritje të mortalitetit, përkeqësim të sëmundjeve si astma dhe bronkiti, dëmtime në sistemin kardiovaskular, irritim të syve dhe rrugëve të frymëmarrjes, si dhe ndikime potenciale kancerogjene.

IKSHPK ka propozuar një sërë masash urgjente, përfshirë monitorim në kohë reale të ndotjes nga KEK, kontroll të rreptë të filtrave të termocentraleve, inspektime të shpeshta dhe investime në teknologji për reduktimin e emetimeve.

Po ashtu, janë rekomanduar masa për mbrojtjen e shëndetit publik, si krijimi i sistemeve të informimit në situata emergjente, rritja e hapësirave të gjelbra dhe zbatimi rigoroz i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.

Ekspertët e IKSHPK-së paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, pritet rritje e ndjeshme e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, veçanërisht nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz