Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh shqetësimin serioz lidhur me mënyrën e zhvillimit të seancës së mbrëmshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit/es e cila u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e kthyer një ndër proceset më të rëndësishme shtetërore në një lojë politike.
Përmes, një komunikate për media GLPS thekson se Gjykata Kushtetuese, në Aktgjykimet e rasteve Nr. KO 29/11, KO47/16 dhe KO68/26 ka qenë e qartë se për zhvillimin e votimit të Presidentit/es kërkohet prania e 2/3 të të gjithë deputetëve. Çdo procedim përtej kësaj nuk është çështje interpretimi, por shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues. Thënë këtë, përveç se janë ‘nule’ të gjitha veprimet e ndërmarra në seancën e mbrëmshme, GLPS vlerëson se thirrja për vazhdimin e saj sot në të njëjtën formë përbëjnë cenim serioz dhe të papranueshëm të Kushtetutës.
Veprimet që injorojnë këtë rregullim nuk mund të justifikohen as me nevojën për funksionalitet institucional, sepse funksionaliteti nuk mund të ndërtohet mbi shkelje të Kushtetutës. GLPS rikujton se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon interpretime politike të përshtatura sipas interesit të momentit, por imponon detyrime të qarta dhe të padiskutueshme. Çdo tentativë për ta relativizuar këtë kërkesë, qoftë përmes interpretimeve procedurale të zgjeruara apo përmes vazhdimit të seancave pa përmbushjen e këtij kushti, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Një qasje e tillë nuk është vetëm e papërgjegjshme por e rrezikshme për rendin demokratik, sepse normalizon shkeljen dhe e vendos vendin në një trajektore ku normat kushtetuese zëvendësohen nga arbitrariteti politik.
Në këtë drejtim, GLPS i bën thirrje deputetëve që të ndalin menjëherë këto veprime të paligjshme dhe të rrezikshme dhe thekson që vazhdimi i kësaj qasjeje përbën veprim të drejtpërdrejtë kundër interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është abuzim i pastër me mandatin publik.
Përgjegjësia për këtë degradim bie plotësisht mbi ata që, me vetëdije, zgjedhin të shkelin Kushtetutën. Personat që shkelin Kushtetutën duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë publike dhe institucionale për veprimet e tyre. Shkelja e rendit kushtetues nuk është çështje politike që mund të relativizohet apo të justifikohet sipas rrethanave, por një devijim serioz nga detyrimi themelor ndaj interesit të shtetit dhe qytetarëve.