Autoritetet meksikane njoftuan të hënën se kreu i kartelit të gjeneratës së re të Jaliscos, Audias Flores Silva, një nga bosët më të kërkuar të krimit në Meksikë është arrestuar.
Pamjet e bastisjes të publikuara nga Omar Hamid Garcia Harfuch, sekretari i sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Meksikës, në platformën amerikane të mediave sociale X duket se tregojnë Flores Silvën duke u arrestuar nga disa komando të marinës pasi ai del nga një tub i madh kanalizimesh me duart lart.
“Në një operacion të planifikuar, të zhvilluar dhe të ekzekutuar nga Sekretariati i Marinës, përmes Forcave të saj Speciale, Audias Flores Silva, i njohur ndryshe si ‘El Jardinero’, u arrestua në Nayar”, tha ai në X
Harfuch po i referohej shtetit meksikan në bregdetin e Paqësorit që shtrihet pak në veri të Jaliscos.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së kishte vendosur shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kokën e Flores Silvës. Nuk është e qartë nëse dikush do të jetë në gjendje ta kërkojë shumën.
Ambasadori i SHBA-së në Meksikë, Ronald Johnson tha se arrestimi i Flores Silvës “shënon hap të rëndësishëm kundër atyre që përfitojnë nga fentanili dhe nxisin dhunën në komunitetet tona”.
“Veprime të tilla janë thelbësore për të siguruar që ata që trafikojnë drogë të mbahen përgjegjës. Unë e vlerësoj punën e Sekretariatit të Marinës për guximin dhe angazhimin e tyre”, tha ai në X.