Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke theksuar se mbi një mijë raste mbeten ende të pazgjidhura.
Në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë, Kurti ka bërë homazhe së bashku me familjarë të të pagjeturve, duke përfshirë edhe nënën Ferdonije, ndërsa ka theksuar se aktualisht 1565 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Ai tha se institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Policinë, janë duke bërë përpjekje maksimale për të zbardhur fatin e tyre.
Kryeministri rikujtoi edhe rastin e 9-vjeçarit Sinan Dauti nga Prekazi, i cili ishte zhdukur gjatë luftës dhe eshtrat e tij janë gjetur së fundmi.
“Duhet të kujtojmë se i fundit që u varros ishte djali i vogël 9-vjeçar Sinan Dauti nga Prekazi… tash së fundmi u gjetën eshtrat e tij dhe ai pushon i qetë në vendlindjen e tij”, u shpreh Kurti.
Ai bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar që të zbardhë të vërtetën për të zhdukurit tanë, sepse ata e dinë të vërtetën”, tha Kurti.
Sipas tij, ende ekzistojnë disa varreza masive në Serbi për të cilat nuk ka informacione, ndërsa vetëm në Batajnicë janë gjetur qindra trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.
“Vetëm në Batajnicë i kemi 744 të pagjetur të zhvarrosur, ndërkaq gjithsejtë deri më tani janë 1 mijë shqiptar që janë zbuluar në varrezat masive në Serbi”, tha Kurti.