BallinaJetëKurioziteteUniversi mund të ketë shtatë dimensione, sipas një studimi të ri

Universi mund të ketë shtatë dimensione, sipas një studimi të ri

Të ngjajshme

Një teori e re në fizikë sugjeron se universi ynë mund të mos përbëhet vetëm nga katër dimensionet që njohim – gjatësia, gjerësia, lartësia dhe koha – por nga shtatë dimensione në total.

Sipas disa fizikanëve, përveç këtyre katër dimensioneve ekzistojnë edhe tre të tjera “të fshehura”, të palosura në mënyrë aq të dendur sa nuk mund të perceptohen drejtpërdrejt. Kjo ide, edhe pse tingëllon si fantashkencë, po shihet si një mënyrë e mundshme për të zgjidhur një nga problemet më të mëdha të fizikës moderne.

Problemi i vrimave të zeza dhe “paradoksi i informacionit”

Teoria lidhet me një çështje të pazgjidhur prej dekadash: çfarë ndodh me informacionin kur një vrimë e zezë zhduket.

Në vitet ’70, Stephen Hawking tregoi se vrimat e zeza nuk janë plotësisht “të zeza”, por lëshojnë rrezatim dhe gradualisht avullohen. Kjo krijon një konflikt me ligjin bazë të mekanikës kuantike, sipas të cilit informacioni nuk mund të shkatërrohet – një problem i njohur si “paradoksi i informacionit”.

Një grup studiuesish pretendon se kanë gjetur një zgjidhje, por vetëm nëse pranohet ideja e universit me shtatë dimensione.

“Imagjinoni një libër që digjet në zjarr,” shpjegon një nga autorët e studimit, Richard Pinčák nga Akademia Sllovake e Shkencave. “Libri shkatërrohet, por në parim mund të rindërtohet nga hiri, tymi dhe nxehtësia. Informacioni nuk zhduket, thjesht shpërndahet.”

Shtatë dimensione dhe “torsioni” i hapësirë-kohës

Në relativitetin e Ajnshtajnit, hapësirë-koha shihet si një strukturë katër-dimensionale që përkulet dhe shtrembërohet nga graviteti. Por sipas kësaj teorie të re, ekzistojnë edhe tre dimensione shtesë, të ngjeshura në shkallë aq të vogël sa nuk vërehen.

“Kemi katër dimensione të njohura dhe tre të tjera shumë të vogla, të mbështjella brenda tyre,” thotë Pinčák.

Këto dimensione të fshehura do të krijonin një efekt të ri fizik të quajtur “torsion” – një lloj përdredhjeje e hapësirë-kohës. Ky efekt, sipas studiuesve, mund të jetë çelësi për të kuptuar fatin e vrimave të zeza.

Çfarë ndodh kur një vrimë e zezë “vdes”?

Sipas modelit të propozuar, kur një vrimë e zezë avullon deri në përmasa minimale, shtatë dimensionet e saj fillojnë të “ngatërrohen” në një lloj nyjeje.

Kjo nyje krijon një forcë që pengon zhdukjen e plotë të vrimës së zezë, duke lënë pas një mbetje jashtëzakonisht të vogël – rreth 10 miliardë herë më të vogël se një elektron.

Megjithatë, kjo mbetje ruan ende informacionin që ka thithur vrima e zezë, duke zgjidhur kështu paradoksin: informacioni nuk humbet kurrë, sepse objekti nuk zhduket plotësisht.

Pasojat e mundshme për fizikën moderne

Studiuesit mendojnë se kjo teori mund të ndihmojë edhe në shpjegimin e fenomeneve të tjera të pazgjidhura, përfshirë mekanizmin e Higgs-it – i ashtuquajturi “grimca e Zotit”, që i jep masë grimcave të tjera.

Po ashtu, këto mbetje të vrimave të zeza mund të përbëjnë edhe materien e errët, e cila përbën rreth 27% të universit.

Nëse teoria është e saktë, atëherë duhet të ekzistojnë grimca të veçanta të quajtura “Kaluza–Klein”, por ato janë aq të rënda sa aktualisht nuk mund të zbulohen me teknologjinë ekzistuese, përfshirë edhe përplasësin e madh të hadroneve (LHC).

Ende një hipotezë e largët

Disa shenja të mundshme të këtyre dimensioneve mund të kërkohen në rrezatimin kozmik të sfondit ose në valët gravitacionale të lashta të universit, por instrumentet e nevojshme ende nuk ekzistojnë.

Për momentin, ideja e një universi me shtatë dimensione mbetet një teori intriguese – një përpjekje ambicioze për të bashkuar misteret më të mëdha të fizikës moderne. /GazetaExpress/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz