I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Ramadan Nishori, i ftuar në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova tha se në shoqërinë e Kosovës mungon ende përkrahja e duhur për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Nishori tha se dalja e tij publike i dha guxim edhe shumë personave të tjerë të kërkojnë ndihmë.
“Shoqëria jonë, përkrahja nuk është ende e duhur, por ndihem mirë. Pas daljes time kanë ardhur nëpër organizata me kërku ndihmë edhe shumë të mbijetuar dhe të mbijetuara të tjerë. Kjo më bën të ndihem më mirë, sepse unë jam bërë shkaktar që ata të kërkojnë ndihmë në organizata.
Tutje, ai tha se forcën për daljen e tij publike e ka gjetur me përkrahjen e familjes dhe ndihmën e psikologut.
“Për një të mbijetuar, heshtja është shumë e rëndë. Mungesa e guximit me shku me kërku ndihmë në organizatë, kjo më ka shty me dalë (publikisht), sepse unë kam kaluar nëpër atë. Shumë herë kam dashtë me i bërë keq edhe vetvetes, por me ndihmën e psikologut dhe organizatës kam arritur këtu ku jam. Meqë kam kaluar unë në atë periudhë, e di që kalojnë edhe shumë të tjerë, për atë e kam marrë këtë guxim me përkrahjen e familjes”, tha Nishori.