Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Damien Comolli ka këmbëngulur se lojtarët janë “të etur për të ardhur te Juventusi” edhe pa pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve.

Juventusi u ngjit në vendin e katërt këtë fundjavë falë fitores 1-0 ndaj Atalantas dhe humbjes së Comos 4-3 ndaj Interit.
Tani kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje në Serie A për të ruajtur këtë pozicion të rëndësishëm që siguron kualifikimin në Champions sezonin e ardhshëm.
Comolli tha: “Mendoj se strategjia jonë e merkatos do të jetë ambicioze pavarësisht gjithçkaje. Nuk e di ku do të përfundojmë, flitet për vendin e katërt, por mund të jetë edhe më mirë. Tabela është shumë e ngushtë dhe ne jemi shumë ambiciozë”.
Ai shtoi se klubi është në negociata me shumë lojtarë dhe se mungesa e Championsit nuk po i pengon ata.
“Lojtarët me të cilët po flasim nuk thonë ‘dua të vij vetëm nëse Juventusi është në Champions’. Ata janë të gatshëm të vijnë gjithsesi. Sigurisht, financiarisht është më mirë Champions League, por ambicia mbetet e njëjtë”, tha ai.
Juventusi momentalisht ka 60 pikë në vendin e katërt, dy më shumë se Como në vendin e pestë. Roma është e gjashta me 57 pikë. Ndërkohë, Milani është i treti me 63 pikë, tri më pak se Napoli në vendin e dytë.
Interi është lideri me 75 pikë./GazetaExpress/