“Hetimin për eksplozivin pranë Kanjizhës do ta përfundojmë profesionalisht, do ta informojmë Hungarinë si vend fqinj të mirë”, tha Vuçiq të hënën në RTS.
Duke komentuar deklaratën e Peter Magyar se do të insistojë që hetimi për eksplozivin që së fundmi u gjet në Kanjizhë, pranë gazsjellësit, të çohet deri në fund dhe të përcaktohet çfarë ka ndodhur, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do të vazhdojë dhe do ta përfundojë hetimin në mënyrë shumë profesionale dhe objektive.
“Ky nuk është vendi i tij dhe ai nuk ka asnjë kompetencë në këtë vend për të kryer hetime. Ne i zhvillojmë hetimet në mënyrë shumë, shumë profesionale dhe objektive. Kam heshtur edhe kur gënjenin se kjo ishte e inskenuar dhe se bëhej fjalë për një ‘flamur të rremë’, sepse nuk doja të ndërhyja në zgjedhje”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se hetimi deri tani ka zbuluar “shumë gjëra”, por se nuk kanë dashur të flasin për to sepse, siç tha ai, kishte shumë kurthe dhe provokime. Sipas tij, dikush donte ta involvonte një telefonatë nga Prishtina, pa treguar se kush.
“Sepse dikush donte që ne të thonim se nga një numër telefoni i Prishtinës ishte telefonuar një ambasadë këtu, që më pas të krijoheshin histori rreth kësaj dhe që njëra palë të akuzohej për diçka. Dhe me qëllim nuk kemi dashur ta informojmë publikun për këtë”, shtoi Vuçiq.
“Do ta informojmë atë si fqinjë të mirë, si, besojmë, miq të mirë, për atë deri ku ka arritur hetimi ynë dhe do t’i tregojmë se ka gabuar kur u besoi llafeve të tabloidëve dhe të të tjerëve se dikush kishte inskenuar diçka diku”, tha Vuçiq.
Duke komentuar deklaratën e Magyarir se “e di kush është kumbari” i marrëdhënieve mes Robert Fico, Viktor Orbán dhe Vuçiqit, Presidenti serb tha se të tre kanë një kumbar të përbashkët, por ai nuk është Vladimir Putin, por liria.
“Kumbari ynë i përbashkët është liria. Kumbari ynë i përbashkët është liria e mendimit, liria e fjalës, liria e veprimit. Kumbari ynë i përbashkët është që ta duam vendin tonë më shumë se këdo dhe çdo gjë tjetër në këtë botë. Kjo është ajo që është emëruesi ynë i përbashkët”, tha Vuçiq. Ai shtoi “se dihet kush është miku i tij dhe se ai nuk heq dorë nga miqtë as në të mirë e as në të keqe”.
“Gjetja” e eksplozivit tek infrastruktura e gazit brenda territorit të Serbisë një javë para zgjedhjeve kishte nxitur reagime.
Koalicioni “EuropeanDemocrats”, e kishte interpretuar këtë si një përpjekje të Vuçiq për të ndihmuar Viktor Orbanin në zgjedhje, pasi sondazhet nuk e nxjerrin mirë.