FC Barcelona ka arritur të konsolidojë pozitat e saj financiare, edhe pse problemet nuk janë plotësisht zgjidhur. Sipas raportit të fundit financiar të UEFA, Barcelona është lider europian në të ardhurat nga shitja e fanellave dhe produkteve zyrtare, me 277 milionë euro, duke kaluar Real Madrid me 231 milionë euro.
Klubi renditet i dyti në total të të ardhurave (€989 milionë), i dyti në të ardhurat komerciale (€499 milionë) dhe i pesti në të ardhurat nga ditët e ndeshjeve (€150 milionë), për shkak të kapaciteteve të reduktuara të Spotify Camp Nou gjatë rinovimit.
Raporti thekson gjithashtu ndikimin e yjeve të rinj si Lamine Yamal, si dhe fuqinë globale të markës së Barcelonës, e cila mbetet konkurruese në nivel botëror përtej sfidave sportive dhe infrastrukturore.
Pas përfundimit të rinovimit të stadiumit, pritet që të ardhurat të rriten ndjeshëm, duke afruar klubin edhe më pranë rivalëve kryesorë europianë si Real Madrid, Arsenal dhe PSG. /GazetaExpress