Policia e Kosovës ka evakuuar sot me sukses një familje katër anëtarëshe që ishte bllokuar nga vërshimet e shkaktuara nga reshjet intensive të shiut në rajonin e Mitrovicës së Jugut.
Ngjarja ka ndodhur më 8 janar 2026, në rrugën “2 Korriku” në Mitrovicë të Jugut, ku për shkak të kushteve të rënda atmosferike, u krijua rrezik serioz për banorët e një shtëpie, raporton lajmi.net
Në koordinim me Drejtorinë e Emergjencave në Mitrovicë – Jug dhe ekipet e tjera të shpëtimit, Njësia e Kontrollit të Kufirit Ujor (NJKKU) e Policisë së Kosovës ka intervenuar me barkë shpëtimi, duke realizuar evakuimin e sigurt të familjes.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ndërhyrja është kryer me profesionalizëm dhe pa incidente, ndërsa familja është dërguar në një vend të sigurt.
Detaje nga Policia:
Policia e Kosovës me barkë shpëtimi evakuon një familje të bllokuar nga vërshimet në Mitrovicë
Sot, më 08.01.2026, përballë kushteve të rënda atmosferike dhe vërshimeve të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut në rajonin e Mitrovicës jugu, Policia e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin e saj.
Në koordinim të plotë me Drejtorinë e Emergjencave në Mitrovicë – Jugu, dhe ekipet tjera për shpëtim, Njësia e Kontrollit të Kufirit Ujor (NJKKU) e Policisë ka ndërhyrë me vendosmëri duke realizuar evakuimin e sigurt të një familjeje katër anëtarëshe, e cila ishte e rrezikuar dhe e bllokuar në shtëpinë e saj nga vërshimet, në rrugën “2 Korriku” në Mitrovicë jug.
Ky veprim është dëshmi e qartë se Policia e Kosovës, përveç misionit të saj kushtetues për ruajtjen e rendit publik, garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit, është drejtpërdrejt e angazhuar në mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve, sidomos në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore.
Policia e Kosovës mbetet në terren, e gatshme të reagojë dhe të ndihmojë çdo qytetar në nevojë si dhe të ofrojë ndihmën e nevojshme për institucionet tjera përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente dhe ekipet tjera për shpëtim./Lajmin.net/