Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbajti sot tubimin përmbyllës të fushatës elektorale.
Kryetari kësaj partie Ramush Haradinaj premtoi dyfishim të pagave, pensioneve dhe shtesave, duke akuzuar “mafinë energjetike” për rritjen e çmimeve.
Ai tha se anëtarësimi në NATO dhe ndryshimi i qasjes ekonomike janë kyçe për stabilitet, investime dhe ulje të çmimeve.
“Ne do t’i rrisim pagat pensionet dhe shtesat në dyfishim, e kemi të paraparë, e kemi shkruar, e kemi shpjeguar… Secili qytetar mund të shohë që do t’i rrisim pagat… Ju pyes kush mundet ta çlirojë Kosovën prej mafisë energjetike, a ka dikush në këtë vend? Sot ne jemi të poshtëruar, gati po na dërgon në shkatërrim ekonomik mafia energjetike që i ka kapur ata që e qeverisin… Besoni nuk ma ndien për këta tregtarë as për këtë mafi energjetike, dikush duhet ta mbrojë këtë popull ta çlirojë nga ky tmerr i çmimeve, sepse energjia po na rrit të gjitha çmimet e tjera”, tha ai.
Haradinaj u shpreh se Kosova duhet t’i kryejë urgjentisht anëtarësimin në NATO, për të siguruar stabilitet dhe siguri afatgjate, dhe ndryshimin e qasjes politike dhe ekonomike.



