Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy do të diskutojë çështjet territoriale, një pengesë e madhe në bisedimet e paqes, me homologun e tij amerikan Donald Trump në Florida të dielën, ndërsa një plan paqeje prej 20 pikash dhe një marrëveshje për garancinë e sigurisë i afrohen finalizimit.
Duke njoftuar marrëveshjen, Zelensky tha se “shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, ndërsa Uashingtoni vazhdon përpjekjet e tij për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Sa i përket çështjeve të ndjeshme: do të diskutojmë për Donbasin dhe centralin bërthamor Zaporizhia. Sigurisht që do të diskutojmë edhe për çështje të tjera”, u tha ai gazetarëve në platformën e komunikimit WhatsApp.
Rusia dëshiron që Ukraina të tërhiqet nga pjesë të rajonit lindor të Donetskut. Kievi, nga ana tjetër, dëshiron që luftimet të ndalen, duke ngrirë situatën aktuale në vijën e frontit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po përpiqen të gjejnë një kompromis, propozuan krijimin e një zone të lirë ekonomike në territorin që Ukraina do të largohej përfundimisht. Ende nuk është e qartë se si do të funksiononte kjo zonë në praktikë.
Zelensky tha se çdo kompromis mbi territorin duhet të vendoset nga populli ukrainas në një referendum të mundshëm. Centrali bërthamor i Zaporizhias, më i madhi në Evropë, ndodhet në fushën e betejës dhe operohet nga forcat ruse.


