Deputeti nga radhët e PDK-së, Artan Behrami ka pretenduar se në balotazhin e 9 nëntorit në Mitrovicë të Jugut, kishte tren qeveritar.
Përmes një postimi në Facebook, Behrami, ka akuzuar pushtetin qendror për fabrikim shtetëror, derisa thotë se në pothuajse çdo klasë nëpër vendvotime të mëdha janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt nëpër klasa, që sipas tij është një shenjë e qartë e trafikimit të fletëvotimeve dhe të asaj që quhet treni bullgar.
“Në këto pesë vjetet e fundit, Kurti e ka suspenduar logjikën. Në vend të saj e ka injektuar inatin, përçarjen, urrejtjen në shoqërinë tonë. Zgjedhjet lokale janë reflektim i kësaj urrejtje, i këtij inati që ka ndjellë! Në Mitrovicë, përveç kësaj, Kurti ka shfrytëzuar krejt potencialin shtetëror, grupe të nëntokës, grupe kriminale për të fabrikuar një fitore, e cila ditëve të ardhshme mund të shndërrohet në skandalin më të madh zgjedhor në historinë e Kosovës së pasluftës”.
“Ajo që po shihet nga procesi i numërimit, në Mitrovicë nuk ka pasur tren bullgar, aty ka pasur tren qeveritar! Pra një fabrikim shtetëror, jo individual, apo i udhëhequr vetëm nga grupe kriminale. Në pothuajse çdo klasë nëpër vendvotime të mëdha janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt nëpër klasa – një shenjë e qartë e trafikimit të fletëvotimeve dhe të asaj që quhet treni bullgar. Madje, janë gjetur edhe fletëvotime të njërës klasë në tjetren”, ka shkruar ai.
Pos tjerash, këtë fenomen, Behrami e quan të frikshëm, dhe në të njëjtën kohë u bëri thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë e nga organizatat joqeveritare që 24 orë të monitorojnë numërimin në QNR në Mitrovicë.
Lidhur me procesin zgjedhor ditën e djeshme në Mitrovicë të Jugut, për lajmi.net, janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, nga ku thanë se nuk ka pasur asnjë rast të tillë ditën e djeshme.
“Nuk ka pasur asnjë rast të tillë ditën e djeshme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Ndryshe ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga LVV-ja, lidhur me fotografitë e publikuara. /Lajmi.net/