Ish-ushtari i UÇK-së, Agim Pllashniku, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Gent Gjini ka dorëzuar tashmë në Prokurori padi dhe kallëzim penal ndaj kryeparlamentarit Dimal Basha në Prokurorinë Speciale.
Avokati, Gent Gjini ka deklaruar se ky është një kallëzim penal sepse Prokuroria Speciale duhet t’i zgjidh dilemat që janë ngritur nga publikimi i punimit ku i përfshirë është Dimal Basha, e ku UÇK-ja paraqitet si mos më keq.
“Sepse për ne s’ka dilema sepse është pikërisht Dimal Basha që në një revistë shkencore për ngritjen e tij akademike ka publikuar informacione se UÇK-ja është financuar nga kartelet e drogës. Për ne ka qenë indinjuese dhe është Kodi Penal që e sanksionon dhe e dënon këtë gjuhë. Është përgjegjësi penale ku Dimal Bashën e pret përgjegjësia penale, e pse jo edhe burgu në ditët në vijim kur do të mbahen edhe seancat.Pra është nxitje e urrejtjes kombëtare, e ne si rrjedhojë do të kërkojmë nga Prokuroria që nëpërmjet lidhjeve ndërkombëtare me agjencionet amerikane të marrim revistën në përgjithësi, pasi vetë Dimal Basha tenton të luajë lojë fjalësh ku thotë se është fshirë kapitulli i tretë dhe se komiteti i Fakultetit ka aprovuar kërkesën e tij, e është disi për t’u shmangur e të krijojë alibi për ta fshehur fajin e tij.Duke ditur se ka bashkëpunuar me një autore slave, e që njihet për propagandë ruse ndaj kombit shqiptarë ne dilemën e kemi se pse e ka gjetur Bashën për të bashkëpunuar me të. Përpos bashkautor, ai i ka ndihmuar asaj që të gjej njerëz që tregojnë anën e errët të shqiptarëve”,deklaroi avokati, transmeton lajmi.net.
Ai tha se nga Prokuroria kërkojnë që t’ia ndalojë Dimal Bashës që të deklarohet për këtë shkrim.
“Nga Prokuroria kërkojmë që prokurori ta ndalojë Dimal Bashën që të del në Facebook e të tregojë çdo ditë është fshirë kapitulli tre, pasi keqpërdorë pozitën e tij dhe ndikon në hetime.Nëse ka një fije morale e etike të jap dorëheqje nga ky moment. Kërkojmë nga prokurori përkatës që të shoh nëse fshihet diçka më tepër prapa kësaj, pasi mund të jenë shërbime të ndryshme të inteligjencës. Dimal Basha s’u mjaftua vetëm si autor që të na shaj neve shqiptarëve, por ka dhënë informacione tek kjo autore. Çdo serb tani mund të ketë lehtësisht qasje në këto fusnota, e serbët t’i përdorin edhe për studime”./Lajmi.net/