Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, në fjalimin e saj para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje të fortë për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza, duke theksuar se kjo është përgjegjësi ndaj njerëzimit dhe brezave të ardhshëm.
“Për hir të brezave të ardhshëm, për të përmbushur përgjegjësinë tonë si qenie njerëzore dhe për të siguruar që jemi në anën e duhur të historisë, duhet të bëjmë gjënë e duhur. Ne nuk e ndaluam Holokaustin. Ne nuk e ndaluam gjenocidin në Ruandë. Ne nuk e ndaluam gjenocidin në Srebrenicë. Ne duhet ta ndalim gjenocidin në Gaza. Nuk ka më justifikime”, tha Pirc Musar, raporton Sloveniatimes.
Ajo paralajmëroi se Konventa për Gjenocidin rrezikon të shndërrohet në një “relike të së kaluarës”, ndërsa disa shtete po i shkaktojnë Gjykatës Ndërkombëtare Penale “sfidën më të madhe ndonjëherë” përmes sanksioneve dhe frikësimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Presidentja sllovene theksoi gjithashtu se Këshilli i Sigurimit nuk po arrin të përmbushë pritjet e botës dhe kërkoi reformimin e tij.
Duke folur për përdorimin e urisë si armë, Pirc Musar, u shpreh: “Çdo ditë marrim raporte për gra dhe fëmijë që po vdesin nga uria sepse etiketohen si objektiva legjitime, si armiq. Sa mizore është kjo, sa çnjerëzore? Nuk duhet ta lejojmë këtë të ndodhë sërish”.
Ajo kujtoi se brezat e ardhshëm do të gjykojnë mënyrën se si i trajtojmë njerëzit dhe planetin, duke paralajmëruar se një botë e sunduar nga forca, terrori dhe pabarazia do të na bëjë bashkëfajtorë për krime ndaj civilizimit dhe planetit. /rtk