Vesna Pantoviç, është kandidatja për kryetare të Komunës së Leposaviqit nga partia e Nenad Rashiqit, njërit nga ministrat në detyrë të Qeverisë Kurti 3.
Pantoviç, ishte edhe drejtoreshë e Arsimit në këtë komunë e cila udhëhiqej nga kryetari Lulzim Hetemi, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan lajmi.net.
Lajmi.net ka mbledhur disa deklarata të saj publike, e cila shprehet në mënyrë të rëndë e skandaloze për Policët e Kosovës si dhe për institucionet e vendit. Në një deklarim të sajin për median serbe “Informer”, Pantoviç tha se “shqiptarët vranë serbë, thyejnë kryqe, vranë persona të shenjtë e ne kurrë nuk sulmuam vende të shenjta siç bënë ata”.
Ajo deklarimin e saj propagandistik e ka vazhduar duke thënë se “mbi 650 forca speciale shqiptare u formuan menjëherë në Banjskë dhe eliminuan njerëzit tanë. Unë besoj se gjithçka ishte e sajuar, sa i përket municioneve dhe armëve dhe djemtë tanë në fakt po mbronin vendin tonë të shenjtë, Manastirin, morgjin, besimtarët nga UÇK-ja ose quhet ndryshe rosu”.
Pantoviç, foli edhe për Albin Kurtin duke e akuzuar për arrestime të të gjithë serbëve.
“Albin Kurti mjafton të shoh një serb që është fotografuar në një tubim paqësor dhe menjëherë do ta lëshoj urdhërarrestin për të. Kurti shkon në arrestime të përditshme të serbëve në gjyqe të montuara.”, ka shtuar ajo.
Ajo raportohet se ka marrë pozitë në Këshillin e Partisë Socialiste të Serbisë, parti që punon në drejtimin e Ivica Daçiq.
Lajmi.net ka tentuar të marrë një deklarim nga kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi për deklarimet e saj propagandistike për Kosovën gjatë kohës sa ishte drejtoreshë e Arsimit në këtë komunë, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Kryetari i partisë nga e cila kandidon Pantovçiq për kryetare të Leposaviqit, Nenad Rashiq është propozuar për t’u bërë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e minoritetit serb dhe nga VV është bërë thirrje në vazhdimësi që të votohet. Ai nuk ka arritur të mbledh votat e duhura për të marrë këtë pozitë. /Lajmi.net/
Për më shumë, ndiqeni videon: