Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur në takim ambasadorin e Francës Olivier Guerot.
Në këtë takim siç ka njoftuar Kuvendi i Kosovës është folur edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Francës përfshirë edhe fushën e ekonomisë.
U përmend edhe fusha e arsimit si një mundësi e bashkëpunimit.
Por, nuk u lanë anash as bisedat gjeostratejgika – është folur edhe për ndikimin rus në Evropë, siç tregohet në komunikatë.
“Në takim u trajtuan gjithashtu çështje me rëndësi gjeopolitike dhe strategjike, si ndikimi rus në Evropë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, është përmendur edhe mbështetja e Francës që Kosovës t’i largohen masat nga Bashkimi Evropian.
Komunikata e plotë:
Kryetari Basha priti në takim Ambasadorin e e Francës, Olivier Guérot
Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha, mirëpriti në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot.
Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi të ndërsjellë, duke reflektuar interesin reciprok për lidhje të forta mes dy shteteve.
Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë tek fusha e arsimit. Kryetari Basha dhe Ambasadori Guérot u pajtuan që të shtohen programet për shkëmbimin e studentëve të të dy vendeve, ku rrjedhimisht edhe forcohen vlerat e përbashkëta, lidhjet mes popujve dhe bashkëpunimi mes studentëve dhe universiteteve të vendeve tona.
Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës ishte intensifikimi i bashkëpunimit me qëllim të nxitjes së investimeve nga kompanitë franceze në Kosovë, në mënyrë që të gjenerohen vende të reja pune e njëkohësisht të afirmohet edhe më tej potenciali i rinisë kosovare, e cila është e përgatitur profesionalisht, inovative dhe e orientuar drejt zhvillimit teknoligjik dhe jo vetëm.
Në takim u trajtuan gjithashtu çështje me rëndësi gjeopolitike dhe strategjike, si ndikimi rus në Evropë, nevoja e mbështetjes nga Franca për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe domosdoshmëria e largimit të masave nga Bashkimi Evropian ndaj vendit tonë. Kryetari Basha theksoi se këta hapa ndikojnë pozitivisht në forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe ndihmojnë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në vend.
Po ashtu, Kryetari i Kuvendit i shprehu Ambasadorit përkushtimin e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe rëndësinë e integrimit të plotë në funksion të një shoqërie që bashkëjeton në respekt, barazi, paqe dhe zhvillim të plotë në kuadër të prosperitetit të gjithëmbarshëm të Republikës së Kosovës.