James Rubin u pyet nga gjyqtari zviceran, Guénaël Mettraux, lidhur me rolin e Adem Demaçit brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kundërshtimin e tij ndaj Marrëveshjes së Rambujesë. Rubin theksoi se ndikimi i Demaçit ishte ideologjik e jo ekzekutiv dhe se angazhimet e Shteteve të Bashkuara ishin ato që, në fund, i mundësuan Hashim Thaçit të kapërcente rezistencën e tij.
Rubin i tha gjykatës se nuk e kishte takuar apo komunikuar kurrë drejtpërdrejt me Demaçin dhe nuk kishte dijeni që ai të kishte lëshuar urdhra apo vendime si përfaqësues i UÇK-së. Ai e përshkroi Demaçin si figurë historike e simbolike, rëndësia e së cilës buronte nga qëndrimet e tij për pavarësinë, e jo nga ndonjë autoritet ekzekutiv. Rubin hodhi poshtë gjithashtu idenë se UÇK-ja funksiononte me një hierarki të qartë ushtarake.
Sipas Rubin, Demaçi njihej gjerësisht për kundërshtimin e tij të fortë ndaj Marrëveshjes së Rambujesë, veçanërisht pas bisedave që kishte zhvilluar me sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine
Albright.
Demaçi besonte se nënshkrimi i një marrëveshjeje të përkohshme pa përmendur qartë pavarësinë do të ishte një gabim strategjik për UÇK-në.
Rubin kujtoi se gjatë bisedimeve, Thaçi u përpoq ta bindte Demaçin gjatë një takimi në Slloveni, por nuk ia doli të ndryshonte qëndrimin e tij. Megjithatë, Thaçi vazhdoi dhe e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së, pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm të Demaçit.
Sipas dëshmisë së Rubin, pika vendimtare erdhi nga garancitë që Thaçi mori drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara – prej tij vetë, nga sekretarja Albright dhe nga gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.
Angazhimi ishte i qartë: nëse UÇK-ja do të nënshkruante dhe Serbia do të refuzonte, atëherë Uashingtoni do të udhëhiqte një fushatë ushtarake kundër forcave serbe.