James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, ka dëshmuar sot në rastin e Hashim Thaçit dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së në Hagë.
Rubin foli për rolin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të tyre me SHBA-të.
Por, nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje po përpiqen që dëshmisë së tij t’i japin një korrelacion tjetër.
Alban Krasniqi, anëtari nga LVV në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë se po rezulton që Thaçi nuk ka qenë kreu, por Agim Çeku.
“James Rubin duke treguar përvojën e tij dëshmoi që lufta e UÇK-së ishte e drejtë, por shpërfaqi edhe disa të vërteta ndryshe nga ato që i janë servirur publikut për 25 vite. 1. Hashim Thaçi tash po del që nuk paska qenë komandant apo udhëheqës i UÇK-së, por Agim Ceku. Andaj të ja njohim këtë rol dhe vlerë general Çekut të cilën ia kanë mohuar në luftë edhe pas luftës. 2. Delegacioni ynë në Rambuje në krye me Thaçin paskan qenë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje ku nuk përmendet pavarësia, por që fatmirësisht paska pasur presion nga komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së në terren për të mos pranuar një zgjidhje që nuk e përmban brenda dokumentit pavarësinë në përspektivë. 3. Që është pranuar marrja e përgjegjësisë për çfardo krimi që mund të bëhet pas përfundimit të luftës në emër të saj”, ka shkruar Krasniqi në Facebook. /Gazeta Express