back to top
Monday, August 18, 2025
BallinaLajmeVeliaj kërkon shpalljen të pavlefshme të hetimeve nga GJKKO: “Drejtësia nuk mund...

Veliaj kërkon shpalljen të pavlefshme të hetimeve nga GJKKO: “Drejtësia nuk mund të jetë selektive”

Të ngjajshme

PZAP urdhëron KQZ-në të certifikojë “Lidhjen e Prishtinës”

PZAP ka aprovuar ankesën e Iniciativës Qytetare “Lidhja e...

Nura: Lamtumirë, baci Selim!

Ka ndërruar jetë baci Selim, këpucëtari i njohur dhe...

Guardiola i thotë ‘PO’ transferimit të yllit të Real Madridit

Pep Guardiola ka dhënë dritën jeshile që Manchester City...

Mirdoni i BBVK2 bëhet baba për herë të parë

Emocione të mëdha për instrumentistin dhe ish-banorin e Big...

Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në një material prej 77 faqesh të dorëzuar nga mbrojtësit e në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), rendisin një sërë shkeljesh që, sipas tyre, bëjnë të pavlefshëm hetimin penal të ndërmarrë ndaj tij.

Në këtë dokument, theksohet se “drejtësia nuk mund të jetë selektive”, ndërsa argumentojnë se procesi sipas tyre ka qenë i njëanshëm dhe i paligjshëm në disa aspekte thelbësore.

Një nga çështjet kryesore të ngritura nga mbrojtësit e Veliajt është se prokurori që ka zhvilluar hetimet, Olsi Dado, “në momentin e emërimit si prokuror, nuk përmbushte kriteret e nevojshme që rrjedhin nga legjislacioni përkatës mbi statusin e magjistratit”.

“Z. Olsi Dado nuk ka plotësuar kushtet e kërkuara me ligj për t’u emëruar prokuror në momentin e dekretimit të tij. Ai nuk ka qenë prokuror, gjyqtar apo oficer i policisë gjyqësore për më shumë se 5 vjet, siç kërkohet nga neni 18 i ligjit nr. 8737/2001 (në fuqi në atë kohë), dhe për pasojë nuk mund të emërohej as me përjashtim nga Presidenti sipas dispozitave për 10% të kuotës. Eksperienca e tij si noter nuk është e përcaktuar në asnjë dispozitë ligjore si burim legjitimiteti për të hyrë në sistemin e prokurorisë”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.

Në kërkesë theksohet se hetimet ndaj Veliajt janë nisur mbi “një kallëzim penal të falsifikuar, Nesti Angoni, si bazë për nisjen e hetimeve, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit”. Sipas Veliajt, kjo është një shkelje flagrante që tregon mungesë të paanshmërisë dhe profesionalizmit nga ana e Prokurorisë.

“Mungesa totale e çdo veprimi për të identifikuar autorin e kallëzimit në këtë rast përforcon bindjen se Prokuroria nuk ka ushtruar rolin e saj si filtër institucional, por ka vepruar në mënyrë formale dhe të njëanshme, duke trajtuar një tekst të paidentifikueshëm si të ishte një kallëzim legjitim dhe i verifikuar. Kjo mospërmbushje nuk është thjesht një neglizhencë, por për shkak të pozicionit të personit të kallëzuar, krijon dyshime serioze mbi motivimin e ndjekjes penale, paanshmërinë e hetimit dhe legjitimitetin e të gjithë procesit penal”.

Sipas mbrojtjes, hetimi është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedural.

“Për të sekuestruar të dhënat kompjuterike apo më tej akoma komunikime private, që ndodheshin brenda në celular, Prokurorët e çështjes duhet të kishin zbatuar paraprakisht përcaktimet e bëra në nenin 208/a të Kodit të Procedurës Penale. Referuar këtij neni Prokurori nuk ka asnjë të drejtë/kompetencë ligjore që të caktojë një ekspert për nxjerrjen dhe marrjen e të dhënave kompjuterike, pa siguruar paraprakisht përmes një kërkese të tij, një vendim gjykate që urdhëron sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, përcakton të drejtën për të hyrë, kërkuar dhe marrë të dhënat kompjuterike, si dhe që ndalon kryerjen e veprimeve të mëtejshme me këto të dhëna.”

Veliaj pretendon se nuk i është garantuar e drejta për mbrojtje efektive, duke deklaruar se “i është refuzuar koha e nevojshme për njohjen e akteve” dhe se “janë përdorur ekspertë të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë”.

Po ashtu, ai kundërshton ndarjen e hetimit në disa çështje, duke e konsideruar atë një mënyrë për të cënuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike. Sipas mbrojtjes, media është përdorur si mjet presioni dhe ndikimi publik ndaj tij.“Media është përdorur si zgjatim i akuzës, përmes rrjedhjeve të qëllimshme, manipulimit të opinionit publik dhe mosveprimit institucional kur sekreti hetimor rrjedh në publik.”

Me këtë kërkesë të detajuar, Veliaj kërkon nga GJKKO shpalljen të pavlefshme të hetimeve, duke theksuar se i gjithë procesi penal është ndërtuar mbi baza të paqëndrueshme ligjore dhe në kundërshtim me të drejtat e tij si i pandehur.

“Drejtësia nuk mund të jetë selektive”, përfundon mbrojtja e kryebashkiakut.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz