Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se më 7 gusht gjyqtari Radomir Laban, për të cilin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se institucionet e sigurisë kanë konsideruar se përbën rrezik për rendin Kushtetues të Kosovës, kishte kërkuar të përjashtohej nga vendimmarrja nga rastet ndaj bllokadës në Kuvend.
Por, Gjykata tha se kërkesa iu refuzua njëzëri.
“Më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja nga rastet KO193/25 dhe KO196/25 si dhe KO215/25. Të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr të martën kërkesën e adresuar dy javë më parë në Gjykatën Kushtetuese për t’i definuar pasojat juridike që prodhohen pas dështimit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh.
Në një konferencë shtypi, ajo njoftoi se veprimin e ka ndërmarrë meqë gjykata e ka caktuar gjyqtar raportues Radomir Labanin.
Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë, gjyqtari serb përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se gjyqtari i Kushtetueses, Radomir Laban, dyshohet nga autoritetet e sigurisë së Kosovës se është pjesë e BIA-s serbe. Haxhiu ka thënë se ky gjyqtar përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës dhe se ai bashkëpunon edhe me përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.