Ish-drejtori i Financave në komunën e Pejës, Jeton Abazaj është kandidatura e pavarur për kryetar të kësaj komune.
Abazaj do të ballafaqohet me ish –shefin e tij të dikurshëm, kryetarin aktual të Pejës, Gazmend Muhaxheri në zgjedhjet lokale të tetorit.
Jeton Abazaj për 10 vite ka udhëhequr me Drejtorinë e Financave në komunën e Pejës, derisa më 15 mars të vitit 2024 kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë dhe rrjedhimisht nga të gjitha pozitat brenda LDK-së.
‘Më shumë e dua qytetin se sa pushtetin, andaj më mirë është të mbahem mend si djalë i qytetit, se sa si servil i pushtetit! Në një vend ku nuk ta dinë vlerën sa më shpejtë hape derën!
Këtij pushteti nuk i kam kërku as favore personale e as të mira materiale, thjeshtë kam kërku vlerësim e dinjitet, njerëzit largohen atëherë kur tentohet me ju shkel dinjiteti, njëjtë po veproj edhe unë!’, thuhej mes tjerash në deklaratën e dorëheqjes së Abazajt.
Nga atëherë, Abazaj ka pasur oferta pothuaj nga subjektet kryesore opozitare për t’i bashkuar rrugëtimit politik, porse pa rezultat.
Kandidatura e Abazajt për të parin e Pejës, pritet të sjellë zhvillime interesante në garën për kryetar dhe njëkohësisht të shfaqë një standard për këtë komunë të dukagjinit, e cila tani e 12 vjet qeveriset nga LDK dhe Gazmend Muhaxheri
Ndryshe, kandidaturat e zyrtarizuara deri më tash për kryetar të Pejës janë, Gazmend Muhaxheri LDK, Ali Berisha AAK, Taulant Kelmendi VV dhe Arta Vokshi Nallbani PDK. /Njeshi&RADIO 1/