Çdo mëngjes, Abeer dhe Fadi Sobh zgjohen në tendën e tyre në Rripin e Gazës me të njëjtën pyetje rrëqethëse: Si do të sigurojnë ushqim për veten dhe gjashtë fëmijët e tyre të vegjël? Alternativat janë të pakta dhe dëshpëruese: ndoshta një kuzhinë bamirësie do të jetë e hapur dhe do të mund të marrin një tenxhere me thjerrëza të holluara në ujë; ose do të tentojnë të kalojnë përmes turmave për të kapur ndonjë thasë mielli nga ndihmat që shpërndahen nga kamionët.
Nëse asnjëra prej tyre nuk funksionon, u mbetet vetëm lypja. Në të kundërt, nuk hanë fare — një realitet që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë.
Familja Sobh, e zhvendosur disa herë që nga fillimi i luftës, aktualisht jeton në një kamp refugjatësh buzë detit në perëndim të qytetit të Gazës. Ata janë vetëm një prej mijëra familjeve palestineze që përballen me urinë ekstreme, teksa lufta vazhdon prej 22 muajsh.
Ekspertët e ndihmave humanitare kanë ngritur alarmin se një skenar katastrofik urie është duke u zhvilluar në Gaza. Pas një bllokade të plotë të ushqimit dhe furnizimeve për më shumë se dy muaj e gjysmë që nisi në mars, Izraeli rifilloi lejen për hyrjen e ndihmave në maj, por ato mbeten larg nivelit të nevojshëm për të mbuluar nevojat bazë. Çrregullimi total i rendit dhe sigurisë e ka bërë pothuajse të pamundur shpërndarjen e ushqimit. Shumica e ndihmave ose grabiten, ose përfundojnë në tregje të zeza me çmime të paarritshme për njerëzit e zakonshëm.
Në vapën përvëluese të verës, Fadi – 30 vjeç, shitës rrugësh dhe i sëmurë me epilepsi – përpiqet të shkojë në një nga kuzhinat humanitare për të garantuar ushqim për fëmijët e tij dhe bashkëshorten. Por shpesh, pas pritjes së gjatë, kthehet pa gjë. Ndërkohë, Abeer – 29 vjeçe – detyrohet të lypë apo të përpiqet të përfitojë nga ndonjë pjesë ushqimi që mbetet.
Pa ujë të pijshëm, ajo detyrohet të mbledhë ujë nga deti për të larë fëmijët. Vajza e tyre më e vogël, 9-muajshe, qan kur uji i kripur i djeg sytë. Për të ngrënë, ndonjëherë Abeer shtyp thjerrëzat për t’i përzier me ujë dhe t’i japë foshnjës me biberon.
Ndonëse situata është alarmante, i dërguari i Donald Trump, Steve Witkoff, i cili vizitoi rripin e Gazës tha në një takim me familjarët e pengjeve izraelite këtë të shtunë se në Gaza ka mungesë ushqimi, por jo krizë urie.
Witkoff tha se Shtetet e Bashkuara po vijojnë punën e tyre intensive për t’i dhënë fund luftës. Ndërkohë media Amerikane CNN raportoi këtë të shtune se kryeminstri izraelit, Benjamin Netanyahu ka shtyrë në kohë marrjen e një vendimi për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës. Që prej nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, sulmet izraelite në rripin e Gazës kanë lënë të vrarë mbi 60 mijë persona.
Lufta nisi pas sulmit terrorist të Hamas ndaj Izraelit ku u vranë mbi 1200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Rreth 50 pengje mbahen ende të rrembyer nga grupi militant palestinez.