Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara për më 7 qershor 2026. Në këtë kuadër, më 15 dhe 16 maj, KQZ ka zhvilluar një program trajnimi për mbi 200 anëtarë të 38 Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ).
Trajnimi, i cili organizohet në çdo proces zgjedhor, synon përgatitjen e anëtarëve të KKZ-ve për përgjegjësitë dhe obligimet e tyre ligjore gjatë menaxhimit të procesit zgjedhor në nivel lokal. Pjesëmarrësit janë pajisur me njohuri mbi Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe mbi rolin e tyre në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Programi ka përfshirë edhe çështje praktike si menaxhimi i operacioneve zgjedhore në komuna, procesi i votimit dhe numërimit në vendvotime, si dhe procedurat në Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përfshirë përdorimin e platformave digjitale për futjen e të dhënave.
Sipas legjislacionit në fuqi, KKZ-të kanë rol kyç në administrimin e zgjedhjeve në komunat përkatëse, nën mbikëqyrjen e KQZ-së, duke garantuar ligjshmëri dhe efikasitet të procesit. Ndërkaq, më 8 maj, KQZ ka emëruar mbi 200 anëtarë të këtyre komisioneve, mandati i të cilëve përfundon 15 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.