Një rast i rëndë ka ndodhur minutat e parë pas mesnatës së datës 30 korrik të këtij viti në Mitrovicë.
Dy persona të panjohur e kanë futur në makinë një vajzë, të cilën e kanë dërguar në një lokacion tjetër dhe aty e kanë dhunuar, shkruan lajmi.net.
Për rastin sot Policia e Kosovës ka dhënë detaje përmes raportit 24 orësh, ku kanë thënë se të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.
“Mitrovicë Jugu / 30.07.2025 – 00:30. Është raportuar se dy persona të panjohur e kanë futur në veturë ankuesen femër kosovare dhe me pas të njëjtit e kanë dërguar në një lokacion tjetër dhe ndaj saj kanë kryer veprën e lartcekur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa viktima mbetet që të dërgohet në ekzaminimin mjekoligjor”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë dhënë detaje shtesë për lajmi.net, ku kanë thënë se viktima e rastit është dërguar në ekzaminim gjinekologjik në Prishtinë dhe se rasti po hetohet.
“Lidhur me rastin, ankuesja është dërguar në ekzanimin gjinokologjik në Prishtinë. Personat e dyshuar për këtë rast nuk janë identifikuar. Rasti është duke u hetuar në koordinim me policinë”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Rastet e dhunës seksuale janë raste të rënda të cilat jo rrallëherë ndodhin në Kosovë, ndërsa më të shpeshta janë rastet e dhunës në familje, e që çdo 24 orë raportohen disa raste në Kosovë që shpesh janë edhe mbi 10 raste. /Lajmi.net/